Prokuroria Speciale inicion rast penal për kërcënimet ndaj Presidentes Osmani

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se ka iniciuar rast penal në lidhje me kërcënimet ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit. Ky rast penal është iniciuar në drejtim të veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, shkruan lajmi.net. “Në këtë rast ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimit të…

Lajme

09/03/2026 16:30

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se ka iniciuar rast penal në lidhje me kërcënimet ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.

Ky rast penal është iniciuar në drejtim të veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, shkruan lajmi.net.

“Në këtë rast ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në hetimin e plotë të këtij rasti, me qëllim të sigurisë së rendit juridik të Republikës së Kosovës, të zyrtarëve dhe qytetarëve të saj”, ka njoftuar PSRK.

Këto kërcënime drejt Osmanit kanë ardhur pas dekretit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Në postimet në rrjete sociale, Osmani është linçuar, ofenduar e kërcënuar nga qytetarët që e mbështesin VV-në dhe kryeministrin Kurti.

Një kërcënim edhe më serioz është bërë nga babai i deputetit të VV-së, Fatos Gecit, Fadil Geci. Ai përmes një postimi në Facebook, ndër të tjera tha se “Osmani po të ishte në Turqi do ta pushkatonin”.

Ndaj këtij postimi të tij ka reaguar sot edhe Presidenca e Kosovës.

Presidenca e Republikës së Kosovës e ka dënuar ashpër gjuhën ku bëhet thirrje për pushkatim të Presidentes Osmani.

“Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë për figura të zgjedhura nga qytetarët. Mentaliteti që prodhon gjuha e tillë është pikërisht mentaliteti që për dekada e ka mbajtur peng debatin publik me etiketime, shpifje dhe linçime. Presidentja Osmani nuk është “vegël” e askujt dhe as pjesë e fantazive konspirative për kinse tradhti. Ajo është Presidente e Republikës së Kosovës, e zgjedhur në mënyrë legjitime dhe që ushtron mandatin e saj mbi bazën e Kushtetutës”, thuhej në reagim.

Nga Presidenca thanë se ata që sot flasin për “tradhti” dhe “pushkatim” dhe shtyjnë përpara shpifjet e konspiracionet, në fakt janë duke bërë thirrje për dhunë e vrasje politike.

“Kosova ka paguar shumë për lirinë e saj që të tolerojë sot gjuhë linçuese ndaj institucioneve të saj. Thirrjet për “pushkatim” nuk janë retorikë politike, por nxitje e drejtpërdrejtë për dhunë dhe krim. Kushdo që mendon se mund ta frikësojë një Presidente me shpifje apo kërcënime të tilla, thjesht po dëshmon se nuk e ka pranuar ende se jetojmë në Republikë demokratike. Presidenca e Republikës së Kosovës u bën thirrje organeve kompetente të rendit dhe drejtësisë që të merren urgjentisht me këto raste dhe ta trajtojnë në përputhje me ligjin”, thuhet mes tjerash në reagim.

Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit është dërguar sot në Gjykatë Kushtetuese nga VV. /Lajmi.net/ 

Njoftimi i plotë i Prokurorisë: