Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj katër personave për trafikim me njerëz, narkotikë dhe grabitje
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave – F.C., B.B., L.J. dhe E.L. – për përfshirje në disa vepra penale të rënda, përfshirë trafikimin me njerëz, veprat në lidhje me narkotikë, shfrytëzim seksual dhe grabitje. Sipas njoftimit zyrtar, të pandehurit F.C. dhe B.B. akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi…

Lajme
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave – F.C., B.B., L.J. dhe E.L. – për përfshirje në disa vepra penale të rënda, përfshirë trafikimin me njerëz, veprat në lidhje me narkotikë, shfrytëzim seksual dhe grabitje.
Sipas njoftimit zyrtar, të pandehurit F.C. dhe B.B. akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, në lidhje me “Trafikimin me njerëz”. B.B. përballet gjithashtu edhe me akuzën për “Blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, transmeton lajmi.net
Hetimet kanë zbuluar se në periudhën nga viti 2019 deri më 29 korrik 2024, të pandehurit, si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, kanë organizuar, rekrutuar, transportuar dhe strehuar gra dhe vajza nga Amerika Latine dhe vende të tjera drejt Kosovës. Viktimat janë detyruar të ofrojnë shërbime seksuale përmes kërcënimeve, dhunës dhe formave të tjera të shtrëngimit.
Ndërkohë, personat e tretë dhe katërt, L.J. dhe E.L., akuzohen për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Grabitja”. Sipas aktakuzës, më 29 korrik 2024, ata kanë përdorur forcë dhe kanosje për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga viktimat e trafikimit, duke u grabitur edhe një shumë të konsiderueshme parash.
Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale që u ngarkohen dhe ndaj tyre të shqiptohen dënime të merituara në përputhje me legjislacionin në fuqi./lajmi.net/