Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit që dyshohen se spiunonin për BIA-n serbe

Prokuroria Speciale e Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka njoftuar se është ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj dy të pandehurve Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit. Për dy të pandehurit Shabani dhe Qerimi ekziston dyshimi i bazuar mirë se secili veç e veç, me veprimet e tyre e kanë kryer…

Lajme

20/02/2025 10:51

Prokuroria Speciale e Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka njoftuar se është ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj dy të pandehurve Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit.

Për dy të pandehurit Shabani dhe Qerimi ekziston dyshimi i bazuar mirë se secili veç e veç, me veprimet e tyre e kanë kryer veprën penale “Spiunazhi’’ nga neni 124 paragrafi 3 i KPRK–së, kurse, i pandehuri M.Q edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së.

“Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënoj sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

Po ashtu, prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve tu vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e masës së tillë.

Dy të pandehurit janë arrestuar në qershor të vitit të kaluar, nën dyshimin për spiunazh nga Kosova në drejtim të BIA-s serbe./Lajmi.net/