Prokuroria Speciale konfirmon intervistimin e Berishajt: Hetimet për shpërlarje parash, shmangie nga tatimi, detyrime financiare e të tjera
Prokuroria Speciale ka konfirmuar se ka intervistuar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net u bë e ditur se Martin Berishaj është intervistuar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij në lidhje me veprat penale “Shpëlarje e parave, shmangie nga tatimi dhe mos-raportimi apo raportim i…

Lajme
Prokuroria Speciale ka konfirmuar se ka intervistuar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net u bë e ditur se Martin Berishaj është intervistuar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij në lidhje me veprat penale “Shpëlarje e parave, shmangie nga tatimi dhe mos-raportimi apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.
“Referuar kërkesës suaj, mund të konfirmojmë se z.Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale “Shpëlarje e parave”, “Shmangie nga Tatimi” dhe “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave , i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, tha për lajmi.net zëdhënësja e prokurorisë, Arbrnora Luta.
Ndryshe mediat slloven kishin shkruar për një skandal të madh financiar, ku ishte i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohej për shpëlarje parash, dukej që ishte përfshirë edhe ambasadori Berishaj.
Një televizion slloven, Planet TV, kishte raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.
Pavarësisht kësaj, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti e pati mbrojtur publikisht ambasadorin Berishaj.
Skandali Martin Berishaj
Në maj të vitit 2022, televizioni slloven “Planet TV”, publikoi disa dëshmi ku dyshohej se rreth 600 mijë Euro të derdhura në xhirollogaritë e biznesit të Berishajt në Mal të Zi, gjatë periudhës kohore 2019/2020, janë nga filiali në Beograd i GEN-it – një rrjet slloven për tregtim të energjisë i shtrirë në tërë rajonin.
Ndonëse në Slloveni u duk si një aferë për efekt elektoral, tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 24 prillit atje, zbulimi i mediumit slloven rezultoi tejet i rëndësishëm edhe për Kosovën – me një ambasador të shtetit të përfshirë në dyshime për shpëlarje parash, me biznes të fshehur në Mal të Zi, me para të derdhura nga Serbia në llogaritë e tij, nga një kompani sllovene.
Televizioni slloven raportoi se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës [transportuesit] të parave dyshohet se e ka kryer ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj përmes “MB Consulting”.
Ky televizion ka dëshmuar me dokumente tërheqjen në kesh të rreth 600 mijë eurove, por jo edhe pjesën tjetër të pretendimit se ato i janë dhënë Robert Golobit, ish-drejtor i GEN-i, dhe tani politikani që i ka fituar zgjedhjet e fundit në Slloveni. Ai, sikurse edhe Berishaj, i kanë mohuar akuzat dhe raportimet e televizionit slloven.
Ndërsa një hulumtim i Gazetës Online Reporteri.net i publikuar në maj të vitit 2022 kishte zbuluar afër 2 milionë Euro të hyra në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020.
Në hulumtimin e bërë nga Gazeta Online Reporteri.net në maj të vitit 2022, dëshmohet se ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në llogarinë bankare të kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi, kishte pranuar afër 2 milionë euro përgjatë viteve 2016 deri në vitin 2020. Ndërsa e dëshmuar me dokumente, sipas televizionit slloven, është se Berishaj gjatë viteve 2019 dhe 2020, i kishte tërhequr në kesh rreth 600 mijë euro nga xhirollogaria e “MB Consulting”. Tutje, sipas Planet TV të gjitha të hyrat në xhirollogaritë e “MB Consulting” janë nga filiali në Serbi i GEN-i./Lajmi.net/