Prokuroria Speciale këtë vitit synon të ngrit aktakuzën për masakrën e Reçakut dhe burgut të Dubravës
Prokuroria Speciale e Kosovës është duke bërë përpjekjet maksimale që deri në përfundim të këtij vitit të ngrit aktakuzë për masakrën e Reçakut, atë në burgun e Dubravës, si dhe për depërtimin e civilëve shqiptare nga Kosova. Ndërkohë, për të garantuar trajtim më efikas të rasteve të krimeve të luftës, nga ky institucion po kërkohet…

Lajme
Prokuroria Speciale e Kosovës është duke bërë përpjekjet maksimale që deri në përfundim të këtij vitit të ngrit aktakuzë për masakrën e Reçakut, atë në burgun e Dubravës, si dhe për depërtimin e civilëve shqiptare nga Kosova.
Ndërkohë, për të garantuar trajtim më efikas të rasteve të krimeve të luftës, nga ky institucion po kërkohet vendosja e disa standardeve ndërkombëtare, përfshirë miratimin e një ligji të posaçëm dhe krijimin e një trupi gjykues të veçantë për trajtimin e këtyre rasteve brenda vendit.
Udhëheqësi i Departamentit për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ilir Morina, në një intervistë për KosovaPress, ka deklaruar se gjatë katër viteve të fundit kjo njësi është konsoliduar ndjeshëm në funksionimin e saj.
Prokurori special theksoi se për njërën nga masakrat më të mëdha, atë të Reçakut, hetimet brenda territorit të Kosovës tashmë janë përfunduar.
Sipas tij, sfidë mbetet sigurimi i provave materiale të cilat ndodhen në Serbi, përfshirë ato që ruhen në ish-Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Morina theksoi se mungesa e bashkëpunimit me autoritetet serbe e bën të pamundur sigurimin e provave.
Po ashtu, Morina deklaroi se së shpejti pritet të ngritët aktakuzë edhe për rastin e depërtimit të civilëve shqiptar nga Kosova, të cilin e cilësoi si një nga çështjet më të mëdha që po trajton kjo prokurori.
“Për masakrën e Reçakut kemi hapur hetimet, kemi zhvilluar hetimet sa i përket territorit të Kosovës, kemi kryer të gjitha veprimet procedurale që kërkohen. Tani gjysma e provave, apo provat më të rëndësishme të këtij rasti ndodhen në Serbi në ish-gjykatën ndërkombëtare për ish-Jugosllavi që tani quhet mekanizëm rezidual, në këto institucione fatkeqësisht na duhet ta forcojmë bashkëpunimin. Për Serbinë nuk kemi bashkëpunim fare, dhe kësisoj është e pamundur të marrim prova materiale konkrete. Jemi duke bërë përpjekje maksimale që t’i sigurojmë ato prova në mënyrë që deri në përfundim të këtij viti ta ngrisim aktakuzën e Reçakut. Jemi duke punuar dhe presim shumë shpejt të përfundojmë rastin e depërtimit të popullsisë civile, dëbimi është një prej rasteve më të mëdha që kjo prokurori është duke zhvilluar, presim brenda këtij viti të ngritët aktakuza për atë rast. Kemi identifikuar një mori të rasteve të cilat jemi duke punuar dhe presim që disa prej tyre t’i përfundojmë brenda këtij viti”, tha ai.
Tashmë kur për njërin të akuzuar të përfshirë në masakrën e Dubravës gjykata e shkallës së parë ka vendosur aktvendim lirues, për masakrën në tërësi që ndodhi në këtë burg gjatë kohës së luftës, janë intervistuar 400 dëshmitarë prej 700 dëshmitarëve që parashihen të dëshmojnë për këtë masakër, ku mbetën të vrarë mbi 117 të burgosur shqiptarë dhe 300 të tjerë u plagosën.
Edhe për kryesit e kësaj masakre, Prokuroria Speciale e Kosovës po synon që të ngrit aktakuzë brenda këtij viti.
“Hetimet janë duke u zhvilluar… rasti si tërësi është ende në punim e sipër dhe atë presim shumë shpejt ta përfundojmë…Ne po bëjmë përpjekje që brenda këtij viti ta përfundojmë edhe rastin e masakrës së Dubravës dhe të ngrisim një aktakuzë në mungesë, pasi që të gjithë të pandehurit nuk gjenden në territorin e Kosovës të paktën deri më tani sa ka arritur policia me verifikuar, mirëpo është një punë e madhe që kërkohet të bëhet, janë identifikuar 700 dëshmitarë të cilët duhet intervistohen secili prej tyre. Deri tani policia ka arritur deri në 400 prej tyre, secili.. Kemi shumë shpresa që do ta rrisim bashkëpunimin me ish-gjykatën penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavi në Hagë dhe nga aty t’i sigurojmë disa prova të rëndësishme materiale sa i përket përgjegjësisë komanduese në rastin konkret”, theksoi prokurori Morina.
Departamenti për krime lufte në kuadër të PSRK-së, nga viti 2021, ka ngritur gjithsej 37 aktakuza për krime lufte, prej tyre 12 për gjykim në mungesë.
Megjithatë, prokurori special, Ilir Morina e ka konsideruar si shumë të rëndësishëm krijimin e një bashkëpunimi juridiko-ndërkombëtarë me shtetin serb.
“Nga viti 2021 e deri në mars të vitit 2025, kemi ngritur 37 aktakuza për krime lufte, po flasim për një periudhë 4 vjeçare, derisa organizatat ndërkombëtare për 20 vite kanë pas 19 aktakuza, ne kemi ngritur një numër kogja të konsiderueshëm të këtyre rasteve. Vetëm vitin 2023, kemi ngritur 15 aktakuza për 63 persona, dhe në vitin 2024, kemi ngritur 14 aktakuza për 25 persona dhe një aktakuzë për 53 persona që është masakra e Mejës. Për periudhën tre mujore të vitit 2025, kemi ngritur katër aktakuza ndaj 6 personave. Në total kemi 14 aktakuza në mungesë, prej tyre i kemi edhe 12 aktakuza që i kemi të trashëguara nga misionet ndërkombëtare e që gjenden në gjykatë dhe duhet patjetër të filloj gjykimi në mungesë dhe në total i bie 26 aktakuza”, theksoi ai.
Morina vlerëson se nuk është bërë mjaftueshëm për ngritjen e kapaciteteve profesionale për gjyqtarët që merren me rastet e krimeve të luftës.
Morina ka theksuar nevojën për një kornizë ligjore specifike dhe një trup gjykues të posaçëm që të merret vetëm me rastet e këtyre krimeve.
Një nga sfidat kryesore, sipas tij, është pranimi i provave të vjetra nga vitet ’99, 2000 apo 2001 në procedurat penale, çka varet nga vendimet e gjykatës.
“Në këto pesë vitet e fundit kemi marrë autorizime nga misionet ndërkombëtare, kemi pas përpjekje të vazhdueshme për ngritjen e kapaciteteve profesionale të policëve dhe prokurorëve, por mesa unë kam vërejtur shumë më pak të gjyqtarëve dhe në fund krejt këtë punë që e bëjmë në fund vendoset nga ana e gjyqtarëve. Prandaj, duhet të jetë edhe fokusi edhe te gjyqtarët, që të ngritën kapacitet profesionale të tyre në aplikimin e standardeve ndërkombëtare. Ne kërkojmë një kornizë ligjore specifike të veçantë vetëm për krimet e luftës dhe në kuptimin e strukturës, ne kërkojmë një gjykatë, një departament e njësi që merret vetëm me krimet e luftës. Në kuptimin e kornizës ligjore, ne vazhdojmë ta theksojmë që derisa shumica e shteteve ndërkombëtare kanë ligje speciale për krimet e luftës, ne krimet e luftës i kryejmë me Kodin e Procedurës Penale, i cili është i përgjithshëm edhe për terrorizmin edhe për korrupsioni dhe krimin e organizuar. Një standard sfidues që mund të jetë në këtë rast është nëse një deklaratë e dhënë në vitin 99’të ose vitin 2000, 2001, a do ta pranoj gjykata e Kosovës si provë në një procedurë penale”, shprehet prokurori special.
Shefi i Departamentit për Krime Lufte, Ilir Morina thekson nevojën që sistemi gjyqësor në vend të ndjekin standardet ndërkombëtare te këto raste, sidomos në aspektin e deklaratave të dëshmitarëve.
“Ajo që është me rëndësi është që gjykatat e Kosovës, sikurse çdo gjykatë ndërkombëtare është që t’i vendos standardet.. për këto dy vendimet e fundit, ne po i presim aktgjykimet me shkrim në mënyrë që me kuptuar se çka ka ndodhur, cili ka qenë pozicioni i gjykatës në këto dy aktgjykime e fundit. Por, megjithatë sillet rreth asaj apo të lënë përshtypjen nga ajo që lexoi gjyqtari gjatë shpalljes ishte që nuk e ka fal besimin deklaratave të dëshmitarëve. Kurse, Gjykata e Hagës në standardin tre, thotë se vështirësitë në kujtesë nuk janë të pazakonta për shkak të traumës dhe kjo nuk thotë që dëshmitë e tyre janë të pavlefshme. Prandaj, kërkohet nga gjykatat tona të krijohen standardet tek rastet e krimeve të luftës, veçanërisht sa i përket deklaratave të dëshmitarëve, jo çdo deklaratë e dëshmitarit mundet mos t’i falet besimi, por mund të administrohet dhe ekzaminohet në frymën e standardeve që janë vendosur nga gjykatat ndërkombëtare. Një kriter tjetër që gjykatat tona kërkohet ta kenë dhe deri më tani ende nuk e kemi si standard në sistemin juridik të Kosovës, është përgjegjësi e personit kur vepron në grup”, deklaroi Morina.
Udhëheqësi i Departamentit për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale, Ilir Morina thekson nevojën për shtim të numrit të prokurorëve special në këtë departament, si dhe të stafit mbështetës.
Aktualisht në këtë departament janë të angazhuar pesë prokurorë special, prej tyre vetëm një merret me rastet e dhunimeve seksuale.
Javën që shkoi nisi procesi gjyqësor për masakrën e Mejës si një nga masakrat më të mëdha ndaj popullatës shqiptare nga forcat serbe. Ky gjykim përfshinë 53 të akuzuar dhe në mungesë të sigurimit të personave të akuzuar, gjykimi do të mbahet në mungesë.
Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë e masakruar mbi 13 mijë civil, dhunuar seksualisht 20 mijë gra e burra, ndërkaq ende mungojnë mbi 1600 persona të zhdukur me forcë.