Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të OSHP-së dhe të kompanisë “Conex Group”

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë kundër dy zyrtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe dy zyrtarëve të kompanisë “Conex Group”.

Lajme

04/12/2014 14:29

Të pandehurit në këtë rast janë Hysni Hoxha kryetar dhe Hysni Muhadri ekspert i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) si dhe Veton Fetahu, pronar i kompanisë “Conex Group”, sh.p.k. Prishtinë dhe Arsim Robelli, mbajtës i kontabilitetit në këtë kompani.

Të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri, dyshohen se kanë kryer veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, të pandehurit Veton Fetahu, pronar i kompanisë “Conex Group”, sh.p.k. Prishtinë dhe Arsim Robelli, mbajtës i kontabilitetit në kompaninë “Conex Group”, sh.p.k. Prishtinë, dyshohen se kanë kryer veprat penale:

“Falsifikimi i dokumenteve”, në bashkëkryerje, nga neni 398, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Mashtrimi”, nga neni 335, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Deklarimi i rremë nën betim”, nga neni 391, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muahdri, më datën 20 qershor 2013, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me dashje direkte dhe me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie kompania “Conex Group”, sh.p.k. Prishtinë, në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”, me nr. të prokurimit NPB 13/013/511, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë, gjatë shqyrtimit të ankesës së operatorit ekonomik ankues, i tejkalojnë kompetencat e tyre, si dhe nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre, duke i fshehur provat e siguruara nga ATK-ja para dy anëtarëve tjerë të panelit shqyrtues të drejtuar nga Hysni Hoxha, ku në mungesë të këtyre provave anëtarët e panelit bien në lajthim dhe refuzojnë ankesën e operatorit ekonomik ankues, me ç’rast kompanisë “Conex Group”, sh.p.k. i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 1.779.759,54 euro.

Ndërkaq, në periudhën kohore 01 mars 2013 deri më 21 qershor 2013, i pandehuri Veton Fetahu në cilësinë e personit përgjegjës dhe pronarit në biznesin “Conex Group”, ndërsa Arsim Robelli, në cilësinë e ofruesit të shërbimeve të kontabilitetit përmes biznesit “Es – Services” për biznesin “Conex Group”, me qëllim të realizimit të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për biznesin, “Conex Group”, në bashkëkryerje dhe me dashje përpilojnë dhe përdorin dokumentet e falsifikuara dhe atë raportet e kontributeve për punëtorët e biznesit “Conex Group” për periudhat tremujore TM-4 2010 dhe TM-4 2011, ku të njëjtat i dorëzojnë në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”, ku si rezultat i përdorimit të këtyre dokumenteve kompania “Conex Group”, është trajtuar si operator i përgjegjshëm dhe është shpallur fitues i kontratës në vlerë prej 1.779.759,54 euro.

Aktakuza është ngritur nga prokurori vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit. /Kallxo.com/