Prokuroria Speciale deklarohet për arrestimin e serbes nga Mitrovica e dyshuar për spiunazh: Kemi dërguar kërkesë zyrtare…
Një serbe nga Mitrovica u arrestua bashkë me të dashurin e saj tanimë të njohur si piloti kroat. Piloti kroat, J.I. (54) i cili ishte pjesë e KFOR-it, bashkë me serben Ana Murganiq u arrestuan nën dyshimin se e njëjta ka siguruar të dhëna të ndjeshme dhe më pas ia përcolli ato të lartpërmendurit dhe…

Lajme
Një serbe nga Mitrovica u arrestua bashkë me të dashurin e saj tanimë të njohur si piloti kroat.
Piloti kroat, J.I. (54) i cili ishte pjesë e KFOR-it, bashkë me serben Ana Murganiq u arrestuan nën dyshimin se e njëjta ka siguruar të dhëna të ndjeshme dhe më pas ia përcolli ato të lartpërmendurit dhe serbëve në Beograd, ku saktësisht dyshohet se i ka dërguar mesazhe Vladimir Radivojeviqit, të njohur me nofkën “Mami”.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Radivojeviqit vitin e kaluar, ndërsa dyshohet se është i lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të 24 shtatorit të vitit 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.“Mami” njihet si lider i “Brigadës së Veriut”, që është shpallur organizatë terroriste në Kosovë.Pilotit kroat J.I., që ishte pjesë e kontingjentit kroat të KFOR-it, dhe të dashurës së tij serbe iu gjetën mesazhe në telefonat celularë, ndër të tjera korrespondonin rreth ngjarjes së 25 shtatorit të vitit 2022, kur anëtarët e KFOR-it u sulmuan në Zubin Potok.
Në atë kohë e dyshuara A.M. i kishte shkruar “Mamit”, të cilin e kishte shok të fëmijërisë.“Duhet të sqarosh sulmin ndaj KFOR-it në çdo mënyrë që di dhe mundesh”, i kishte shkruar ajo.
Po atë ditë i dashuri i saj, piloti kroat, i dërgoi një mesazh serbes: “Vërtetë e ke prishur punën mbrëmë”.
Murganiq e arrestuara kryesore e këtij rasti që hetohet për spiunazh, ishte edhe pjesë e misioneve të huaja në Kosovë. Se Murganiq ishte punëtore e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX- tanimë u konfirmua edhe zyrtarisht.
Këtë për lajmi.net e kanë konfirmuar edhe nga EULEX Kosova, të cilët kanë thënë se nuk mund të komentojnë më shumë për rastin.
“EULEX Kosova është në dijeni të raportimeve të mediave në lidhje me një hetim që përfshin një ish-anëtar të Misionit EULEX. Misioni aktualisht nuk është në gjendje të komentojë më tej mbi rastin”, kanë thënë nga EULEX për lajmi.net.
Murganiq dhe piloti kroat vazhdojnë të jenë në paraburgim, me një vendim nga institucionet e drejtësisë në Split.
E siç u raportua, Murganiq kishte bartur informata të rëndësishme të Kosovës dhe etk Lista Serbe.
Në lidhje me gjithë këtë, lajmi.net ka kontaktuar edhe Prokurorinë Speciale të Kosovës për të pyetur nëse ishin njoftuar për ndonjë dyshim që lidhej me rastin më herët.
E sipas prokurorisë, në lidhje me arrestimin e shtetases së Kosovës në Kroaci- Prokuroria Speciale është në kontakt me autoritetet përkatëse.
Po ashtu Prokuroria bëri të ditur se tanimë i kanë dërguar kërkesë zyrtare për sigurimin e provave institucioneve të Kroacisë.
“Lidhur me arrestimin e një shtetaseje të Republikës së Kosovës në Kroaci, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale është në kontakt me autoritetet përkatëse. Tashmë Prokuroria u ka dërguar kërkesë zyrtare për sigurimin e provave institucioneve të Kroacisë, në përputhje me marrëveshjet për bashkëpunim juridik ndërkombëtar”,thuhet në përgjigjen e dhënë për lajmi.net.
Gjithashtu u tha se Prokuroria Speciale do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në lidhje me këtë çështje.
Arrestimet kanë nxitur interesim të madh publik, ku një pjesë e mediave kanë raportuar se autoritetet po hetojnë edhe lidhjet e mundshme të çiftit me shërbimet e inteligjencës serbe.
Nga misioni paqeruajtës i NATO-s kanë thënë se i marrin seriozisht këto pretendime.
“Ne i marrim shumë seriozisht këto pretendime. Siguria e personelit të KFOR-it dhe integriteti i informacionit të klasifikuar janë parësore”, tha një zyrtar i NATO-s .
Ata u njohën në vitin 2016: ai ishte pjesëtar i kontingjentit kroat në KFOR, ndërsa ajo punonte si përkthyese për EULEX-in. Marrëdhënia e tyre ka qenë e gjatë dhe me ndërprerje, por gjithmonë e gjallë, derisa A.M. shpesh vizitonte Kroacinë. Pikërisht aty u arrestua edhe pak ditë më parë.
Mediat kroate kanë zbuluar se përveç mesazheve që janë kapur me informacione konfidenciale për punët e KFOR-it në veri, ka edhe ‘sekrete’ të tjera.
Siç raporton Vecernji List, e dashura serbe nga Mitrovica e këtij piloti kroat, ka qenë pjesë e EULEX-it dhe UNMIK-ut. Madje, skandali bëhet edhe më i madh pasi dyshimet janë se ajo ka qenë e infiltruar nga shërbimet sekrete serbe për të ndërhyrë në gjykimet kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Sipas këtij raportimi, e njëjta ka pasur lidhje me shumë gjyqtarë e prokurorë, e madje edhe ka bërë shantazh.
“A.M punoi gjithashtu për Misionin e Bashkimit Evropian për Vendosjen e Sundimit të Ligjit në Kosovë, detyra e të cilit është të ndihmojë institucionet, organet gjyqësore dhe policinë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit (EULEX) dhe Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNIMIK). Dyshohet se ajo kishte lidhje të ngushta me shumë gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, të cilët, sipas burimeve, dyshohet se i kishte shantazhuar”, thuhet në këtë raportim.
“Shërbimet serbe rekrutuan dhe inkurajuan punësimin e serbëve në organizatat ndërkombëtare në Kosovë, duke i përdorur ata për të ofruar informacion dhe për të ndërhyrë në drejtësi, veçanërisht kundër anëtarëve të UÇK-së. Sipas burimeve, AM informoi vazhdimisht zyrtarët e Listës Serbe për ngjarjet në këto organizata”, thuhet më tutje.
Të dy ishin arrestuar një herë, e më pas u liruan. Por, pasi u kapën mesazhe të reja, u arrestuan sërish.
“Edhe pse nuk ka informacion zyrtar në lidhje me detajet për të cilat akuzohen, gjë që pritet duke pasur parasysh ndjeshmërinë e situatës, në media doli informacioni se AM, një sociologe e punësuar nga një organizatë gjermane, po mblidhte të dhëna që i dashuri i saj piloti ia kishte dhënë për vendosjen e saj në misionin e KFOR-it në Kosovë. Ajo më tej ia transmetoi ato udhëheqësve të partisë kryesore serbe në Kosovë, “Srpska lista”, e cila bashkëpunon ngushtë me Qeverinë e Republikës së Serbisë, dhe, duke hetuar telefonin celular, kjo u vërtetua edhe te një gazetar i një agjencie të njohur ndërkombëtare lajmesh. Kështu, thuhet se dyshja, nëpërmjet aplikacionit WhatsApp, shkëmbyen mesazhe me informacione konfidenciale në lidhje me lëvizjet dhe planet e forcave të KFOR-it në lidhje me situatën në veri të Kosovës, për të cilën autoritetet serbe janë veçanërisht të interesuara”, thuhet më tutje në këtë raportim.
Piloti kroat e njoftoi të dashurën lidhur me zhvillimet për rastin e Dejan Pantiq, që ishte arrestuar kohë më parë nga institucionet e Kosovës.
“Sipas informacioneve të rrjedhura, piloti dhe e dashura e tij zbuluan informacione konfidenciale në katër raste specifike. Në një nga këto raste, piloti JI i kaloi partneres së tij informacione në lidhje me veprimet e trupave të KFOR-it në Zubin Potok, një vendbanim në veri të Kosovës me shumicë popullsie serbe, i cili ishte skenë konflikti dhe tensionesh ekstreme midis serbëve atje dhe autoriteteve të Kosovës. Përveç kësaj, piloti kroat kaloi gjithashtu informacione konfidenciale në lidhje me rastin e Dejan Pantić, një ish-anëtar i policisë së Kosovës i cili u arrestua në fillim të dhjetorit 2022 me dyshimin për pjesëmarrje në sulmin ndaj zyrës së Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës. Arrestimi i Pantić çoi në një trazirë nga popullsia serbe dhe bllokimin e pikave kufitare me Serbinë”, thuhet më tutje.
Madje siç u raportua e njëjta kishte qasje të drejtpërdrejtë të informacioneve edhe tek zyra e presidentit serb, Aleksandar Vuciq- por edhe tek zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Por, Kosova është shprehur e gatshme të bashkëpunojë për këtë rast.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se “duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit”./Lajmi.net/