Prokuroria Speciale: Deklaratat e Milaim Zekës janë tendencë për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë
Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit Milaim Zeka për prokurorin Afrim Shefkiu dhe aktakuzën ndaj tij që ai thotë se është ngritur me urdhër të presidentit Thaçi.
Lajme
Prokuroria këto deklarata i quan të pavërteta dhe tendencë për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, raporton lajmi.net.
“Tendencat e tilla të deputetit Zeka, kanë filluar menjëherë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale, kundër tij, me ç‘rast i njëjti e kishte kërcënuar prokurorin Shefkiu, gjë për të cilën, Prokurori i Shtetit ka hapur rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë Speciale:
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sqaron opinionin publik se deklarimet e sotme, të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, se kinse “…tre dëshmitarë e dëshmojnë që prokurori, Afrim Shefkiu, ju ka deklaru tre personave që akuzën ndaj deputetit Zeka e ka ngritur me urdhër të Presidentit Thaçi”, janë deklarime të pavërteta, dhe me tendencë ndërhyrjeje në sistemin e drejtësisë.
Tendencat e tilla të deputetit Zeka, kanë filluar menjëherë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale, kundër tij, me ç‘rast i njëjti e kishte kërcënuar prokurorin Shefkiu, gjë për të cilën, Prokurori i Shtetit ka hapur rast.
Prokuroria Speciale sqaron se aktakuza ndaj deputetit, Milaim Zeka, është ngritur në bazë të provave materiale që vërtetojnë bindshëm veprimet inkriminuese të tij, në lidhje me veprat penale, që i vihen në barrë.
Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur, i paanshëm dhe i ndërtuar mbi parime kushtetuese dhe ligjore dhe nuk ndikohet nga deklarimet e tilla, të paqëndrueshme dhe të pavërteta. /Lajmi.net/