Prokuroria nis hetimet për ulëset e shtrenjta të Mytaher Haskukës
Prokuroria Themelore në Prizren është duke hetuar dyshimet për keqpërdorim të buxhetit komunal nga ana e komunës së Prizrenit lidhur me një tender që ka të bëjë me blerjen e disa ulëseve me çmim enorm të shtrenjtë.
Lajme
Kontrata tre vjeçare e nënshkruar në dhjetor të vitit 2018 në mes Komunës së Prizrenit dhe konzorciumit të kompanive “NABS” dhe “Arching”, me një vlerë të përgjithshme prej 289 mijë e 124 euro, që parasheh pajisjen e mini-parqeve të qytetit me ulëse, shtylla të ndriçimit e shporta të mbeturinave është bërë cak i hetuesisë, shkruan lajmi.net.
Komuna kishte kontraktuar katër modele të ulëseve, që për nga pamja dukeshin të njëjta dhe që të gjitha janë pjesë të një kontrate. Dallimi ishte në veshjet e ndryshme anti-korrozive, e që çmimet dallonin për rreth 1000 %. Komuna kishte buxhet vetëm 20, 000.00 euro, ndërsa kishte shpallur fitues një tender në vlerë prej 1, 700 %.
KDI, kishte gjetur se, në kontratën e nënshkruar, çmimet për ulëse dallonin deri në 9,900%.
Ulëset me çmimet prej 995 euro kishin filluar të korrodohen ende pa i mbushur një vit, për këtë mediat kanë publikuar edhe artikuj.
E gjithë kjo ka bërë që të aktivizohet Prokuroria Themelore e Prizrenit, të cilët kanë konfirmuar për lajmi.net se hetimet ndodhën në fazën fillestare, duke mos dhënë shumë detaje.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda lidhur me rastin në fjalë është në fazën e hetimeve. Rrjedhimisht, rasti është duke u hetuar dhe trajtuar nga prokuroria, andaj për rrjedhën e mëtutjeshme të rastit do të njoftoheni me kohë”, ka thënë për lajmi.net, Fitore Mehmeti- Sejrani, zyrtare për informim në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.
Sipas kontratës e cila është e publikuar në e-prokurim, janë kontraktuar ulëse afërsisht të ngjashme, por me çmime që kanë deri në 1,000% dallim. Njëra ulëse 995 euro, e tjetra 11 euro. “Loja” e njëjtë me çmime është aplikuar edhe me shtylla elektrike.
Ndonëse, kontrata ka pasur validitet deri më 13.12.2021, lajmi.net ka mësuar se ka kohë që kontrata është shpenzuar në tersi.
Derisa kjo kontratë i ishte dhënë kompanive “NABS” dhe “Arching”, në Maj të këtij viti, pronarët e kompanive “NABS” sh.p.k. dhe “CONS ENG” sh.p.k., përkatësisht të dyshuarit me iniciale G. P., S. S. dhe B. S. janë arrestuar për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, lidhur me një tender në Prizren.
Prokuroria Themelore në Prizren kishte njoftuar se disa ditë më parë Rrejti i Organizatave Joqeveritare “AVONET” ka publikuar një deklaratë për media rreth procesit të aktivitetit të prokurimit “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, me titull “Komuna e Prizrenit i ka dhënë operatorit ekonomik kontratën në vlerë prej 1,394,853.90 Euro me dokumente fiktive (jo reale)”, ku ata pretendonin se fatura e datë 01.05.2020 me nr. 1052020, e cila faturë ka plotësuar kriterin e kërkuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, e njëjta është e dyshimtë pasi që nuk është deklaruar si shitje nga ana e biznesit “CONS ENG” sh.p.k. si dhe nuk është e regjistruar si blerje nga ana e biznesit “NABS” sh.p.k.
Pas publikimit të kësaj deklarate, Prokurori i Shtetit, sipas detyrës zyrtare, ka ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e informacioneve duke siguruar dosjen e tenderit dhe pas intervistimit të të dyshuarve, të njëjtit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Më pas, Gjykata Themelore në Prizren kishte caktuar masën e paraburgimit të pandehurve G.P., S.S., B.S. Gjyqtari i procedurës paraprake, Fidan Hoxha, morri vendim që ta aprovoj kërkesën prokurorisë duke ja ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarve deri me datë 16 maj 2021. Kjo me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar që të dyshuarit, G.P., S.S., B.S., kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Gjithashtu, vendimi për caktim të paraburgimit u caktua duke marrë parasysh faktin se hetimet janë në fazën fillestare dhe do të merren edhe veprime tjera hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit në fjalë, ku do të merren në pyetje të pandehurit dhe dëshmitarë të tjerë.
Të dyshuarit janë duke u mbrojtur në liri.
Prokuroria është duke hetuar edhe tender të tjerë në këtë komunë. /Lajmi.net/