Prokuroria nis hetime, Policia bastis disa OJQ në Serbi

Pas akuzave nga drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) për keqpërdorimin e fondeve nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), prokuroria në Beograd ka nisur hetime ndaj organizatave të caktuara joqeveritare, raporton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS). Të martën e 25 shkurtit, Policia serbe, duke vepruar në bazë të urdhrave nga…

Lajme

25/02/2025 11:35

Pas akuzave nga drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) për keqpërdorimin e fondeve nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), prokuroria në Beograd ka nisur hetime ndaj organizatave të caktuara joqeveritare, raporton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).

Të martën e 25 shkurtit, Policia serbe, duke vepruar në bazë të urdhrave nga Departamenti Special për Luftimin e Korrupsionit i Zyrës së Prokurorit të Lartë Publik në Beograd, ka bastisur zyrat e disa OJQ-ve për, siç është thënë, grumbullimin e provave për keqpërdorim të mundshëm të fondeve të USAID-it, njofton RTS.

Mësohet se me hetime po përballen OJQ-ja e quajtur Qendra për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), dhe shoqata Iniciativat Qytetare.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kufizuar punën e USAID-it, duke urdhëruar një ngrirje 90-ditëshe të shpenzimeve të saj, më 24 janar.

Administrata presidenciale amerikane po shqyrton futjen e USAID-it nën ombrellën e Departamentit të Shtetit, si pjesë e një riorganizimi të madh që do të reduktonte numrin e punonjësve.

Që prej kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij dhe njerëz të afërt me të e kanë quajtur vazhdimisht USAID-in “organizatë kriminale”.

USAID-i u themelua më 1961, me qëllim koordinimin më të mirë të ndarjes së ndihmave amerikane jashtë vendit.

Sipas shifrave të fundit, ai ka rreth 10.000 punonjës, dy e treta e të cilëve punon jashtë SHBA-së. Në vitin fiskal 2023, USAID-i shpërndau ndihma me vlerë prej 43.79 miliardë dollarësh. /REL