Prokuroria në Prizren ngritë aktakuzë ndaj dy personave për fajde
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të dy personave të cilët gjenden nën masën e paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajde”. Sipas aktakuzës, nga muaji shkurt i vitit 2021, e në vazhdimësi, në Prizren, të akuzuarit kontraktojnë një shumë dukshëm jopropocionale në këmbim të…

Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të dy personave të cilët gjenden nën masën e paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajde”.
Sipas aktakuzës, nga muaji shkurt i vitit 2021, e në vazhdimësi, në Prizren, të akuzuarit kontraktojnë një shumë dukshëm jopropocionale në këmbim të shërbimit për të dëmtuarin E.G., duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, papërvojën ose paaftësinë për të kuptuar pasojën, në atë mënyrë që i dëmtuari, fillimisht takohet me të akuzuarin E.K., nga i cili kërkon 3000 € (tre mijë euro) borxh, me afat kthimi brenda dy muajve.
Me rastin e dhënies së borxhit, i akuzuari E.K., e ngarkon me kamatë mujore në shumë prej 650 € (gjashtëqind e pesëdhjetë euro). Në pamundësi për ta kthyer borxhin, i akuzuari E.K., përsëri i jep të dëmtuarit edhe 2500 € (dymijë e pesëqind euro), të cilat para i kishte marrë nga xhaxhai i tij, i akuzuari B.K., duke e paralajmëruar të dëmtuarin, se për këtë shumë do të paguaj kamatë mujore në shumë prej 500€ (pesëqind euro). Meqenëse i dëmtuari, nuk arrin të paguaj borxhin së bashku me kamatën që i kërkohet, të akuzuarit ia rrisin vlerën e kamatës mujore në vlerë prej 1150€ (njëmijë e njëqind e peshëdhjetë euro). Përsëri në pamundësi të pagesës, të pandehurit, ia jepin të dëmtuarit edhe 2000 € (dymijë euro), ku i dëmtuari nga muaji shkurt i vitit 2021 e deri në muajin shkurt të vitit 2025, ka paguar kamatë mujore në shumë prej 1650 € (njëmijë e pesëqind euro), e cila kamatë arrin vlerën mbi 25.000€ (njëzetë e pesë mijë euro).
Me datë 18.03.2025 rreth orës 23:02 min, i akuzuari E.K., i dërgon sms të dëmtuarit duke i thënë se i ke borxh 13,650 € (trembëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë euro) ose e bartë banesën tek noteri në emrin e tij. Me pas, me datë 26.03.2025 takohen në Prizren, dhe pas bisedës rreth borxheve dhe kamatës, të akuzuarit nga i dëmtuari marrin edhe 10,000 € (dhjetëmijë euro) me ç’rast intervenon policia dhe të njëjtit arrestohen. Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.
Po ashtu, i akuzuari E.K., me datë 26.03.2025, posedon në kundërshtim me ligjin për armët, pistoletën “Pjetro Bereta Gardone”, dhe 13 fishekë, pas kontrollimit të automjetit “Mercedes 2024”C, ndërsa pas kontrollit në shtëpinë e tij, është gjetur edhe 1 pushkë ajrore dhe 1 fishekë i armës së gjatë, si dhe 42 fishekë të pistoletës 9×19 mm dhe 1 karikator i zbrazët. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.
Gjithashtu, prokurori i rastit ka propozuar të bëhet konfiskimi i përhershëm i mjetit dhe objektit me të cilën është kryer vepra penale si dhe përfitimeve nga kryerja e veprave penale, duke përfshirë shumën në total 18.050 € ( tetëmbëdhjetë mijë e pesëdhjetë euro), automjetin “Mercedes”, armë, telefona etj./Lajmi.net/