Prokuroria në Prizren ngre aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë për shit-blerje narkotikësh

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasi të Shqipërisë me inicialet Z.D, që gjendet në paraburgim. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). “Sipas aktakuzës, më 30 tetor…

Lajme

22/06/2026 13:27

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasi të Shqipërisë me inicialet Z.D, që gjendet në paraburgim.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Sipas aktakuzës, më 30 tetor 2025, në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, i pandehuri ka transportuar pa autorizim substanca të shpallura me ligj si narkotikë. I njëjti kishte marrë me qira një automjet në Tiranë dhe ishte nisur në drejtim të Republikës së Kosovës. Gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës, i pandehuri është ndaluar për kontroll nga autoritetet kompetente në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë. Gjatë kontrollit të automjetit, nën ulësen e shoferit është gjetur një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme prej 575.71 gram, ndërsa gjatë kontrollit fizik të të pandehurit është gjetur edhe një sasi e vogël e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë 0.35 gram”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Ata kanë njoftuar se prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit. /Lajmi.net/