Prokuroria në Prishtinë nis hetimet për vdekjen e 77-vjeçarit që ra në hapësirën e ashensorit në Fushë Kosovë, trupi dërgohet në IML për ekzaminim

Një burrë 77-vjeçar ka humbur jetën dje në Fushë Kosovë, pasi dyshohet se ka rënë në hapësirën e paraparë për ashensor në një objekt që është ende në ndërtim. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Agon Rrahmani”, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit. Policia e Kosovës ka konfirmuar se është iniciuar…

Lajme

23/10/2025 16:55

Një burrë 77-vjeçar ka humbur jetën dje në Fushë Kosovë, pasi dyshohet se ka rënë në hapësirën e paraparë për ashensor në një objekt që është ende në ndërtim.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Agon Rrahmani”, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit. Policia e Kosovës ka konfirmuar se është iniciuar rasti “Hetim mbi vdekjen” dhe se hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me prokurorinë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për lajmi.net se viktima është mashkull 77-vjeçar dhe se njësitet kompetente po punojnë për të sqaruar se si ka ndodhur incidenti.

Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se trupi i pajetë i të moshuarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi. “Prokurori kujdestar ka iniciuar rastin ‘Hetim mbi vdekjen’ dhe ka autorizuar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për ekzaminim të mëtejmë,” ka deklaruar për lajmi.net zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.

Ndërkohë, zv.komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra, ka thënë për lajmi.net se objekti ku ndodhi ngjarja ishte në fazë ndërtimi.

Autoritetet pritet të publikojnë më shumë detaje sapo të përfundojnë ekzaminimet dhe hetimet fillestare./lajmi.net/