Prokuroria në Prishtinë arreston një zyrtar, dyshohet se lejoi importin e pesticideve dhe biocideve të ndaluara në Kosovë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”. Sipas komunikatës së Prokurorisë, aksioni është zhvilluar nga Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, aksioni është zhvilluar nga Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion.
“Sipas të dhënave fillestare, hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për lëshimin e lejeve për disa Operatorë Ekonomik, për importin e produkteve biocide dhe pesticide, të cilat janë të ndaluara për përdorim në Republikën e Kosovës sipas listës së Agjencisë Evropiane të Kimikateve (ECHA) të Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Prokuroria bën të ditur se i dyshuari me inicialet N.M. po hetohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, sipas nenit 427 të Kodit Penal.
“Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, thuhet më tej në komunikatë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Lajmi.net/