Prokuroria në Pejë zhvilloi takim koordinues me Policinë e Kosovës për luftimin e mashtrimeve kompjuterike dhe krimeve kibernetike

Prokuroria Themelore në Pejë, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për luftimin e kriminalitetit kibernetik dhe mashtrimeve kompjuterike, ka zhvilluar një takim koordinues me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për Luftimin e Krimeve Kibernetike në Pejë. Takimi është udhëhequr nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, së bashku me prokurorët e kësaj…

Lajme

21/05/2026 13:33

Prokuroria Themelore në Pejë, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për luftimin e kriminalitetit kibernetik dhe mashtrimeve kompjuterike, ka zhvilluar një takim koordinues me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për Luftimin e Krimeve Kibernetike në Pejë.

Takimi është udhëhequr nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, së bashku me prokurorët e kësaj prokurorie, ku temë diskutimi kanë qenë rastet e shpeshta të mashtrimeve online dhe krimeve kibernetike të raportuara në territorin e kompetencës së kësaj prokurorie.

“Gjatë takimit është diskutuar për intensifikimin e veprimeve hetimore dhe koordinimin ndërinstitucional me qëllim të trajtimit sa më efikas të rasteve dhe identifikimit e kapjes së kryerësve të këtyre veprave penale. Po ashtu, është theksuar rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e këtyre veprave penale, të cilat po paraqesin sfidë në rritje për sigurinë e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve të Republikës së Kosovës që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mashtrimeve në rrjetet sociale, mesazheve të dyshimta në telefon, si dhe formave të tjera të komunikimit elektronik që mund të përdoren për mashtrim apo keqpërdorim.

“Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve kibernetike dhe mashtrimeve kompjuterike, të cilat janë përcaktuar si një ndër prioritetet kryesore në planin e punës për vitin 2026”, thuhet në komunikatë. Lajmi.net/

Komunikata e plotë: