Prokuroria në Gjilan autorizon policinë të ndërmarrë veprimet hetimore ndaj Arianit Sllamnikut
Prokuroria Themelore në Gjilan është aktivizuar në lidhje me hetimet që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Arianit Sllamnikut. Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, Prokuroria në Gjilan njoftoi se tanimë kanë autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin në fjalë. Gjithashtu Prokuroria tha se do të na mbajë…
Lajme
Prokuroria Themelore në Gjilan është aktivizuar në lidhje me hetimet që kanë të bëjnë me veprimtarinë e Arianit Sllamnikut.
Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, Prokuroria në Gjilan njoftoi se tanimë kanë autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin në fjalë.
Gjithashtu Prokuroria tha se do të na mbajë të informuar në lidhje me veprimet e mëtejshme.
Kurse lajmi.net pak më parë raportoi se Arianit Sllamniku tanimë është duke u intervistuar nga zyrtarët policorë të Kosovë.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, sot me datë 20 janar 2026 ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin për të cilin jeni interesuar dje.Prokuroria Themelore në Gjilan, do të iu mbajë të informuar për veprimet e mëtutjeshme. Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj”,thuhet nga Prokuroria në Gjilan.
Ndryshe lajmi.net ka raportuar se si pikërisht Arianit Sllamniku deklaronte se “shëron autizmin” dhe se në raportet që u shfaqte prindërve të fëmijëve të spektrit autik u shkruante të përdornin barëra të kafshëve.
Kësisoj shumë prindër janë ankuar në lidhje me këtë çështje duke shfaqur dyshime për veprimtarinë e tij.
Sllamniku emër i njohur për publikun nga konspiracione të ndryshme të cilat ka shfaqur ndër vite, prej mbi 1 vit po zhvillonte veprimtarinë e raportuar në këtë rast.
Mbi këtë çështje mbrëmë ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë të cilët kanë shprehur shqetësim mbi këtë rast. Kurse nga Ministria e Shëndetësisë u tha se ka ndjekur me shqetësim raportimet lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm.
“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë.
Lidhur me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore”, theksohet tutje.
MSh deklaroi se “shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”./Lajmi.net/
Pas raportimit të lajmi.net, Policia e Kosovës interviston Arianit Sllamnikun
https://www.facebook.com/share/v/1DeGLfGrkP/