Prokuroria mirëpret aktgjykimin dënues ndaj Millosh Pleskoviqit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka mirëpritur aktgjykimin dënues ndaj Millosh Pleskoviqit, të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi më 15 vjet burgim. Aktgjykimi fajësues për krime lufte ndaj popullatës civile në Prizren, u shpall sot, më 31 korrik. “Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat…

Lajme
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka mirëpritur aktgjykimin dënues ndaj Millosh Pleskoviqit, të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi më 15 vjet burgim. Aktgjykimi fajësues për krime lufte ndaj popullatës civile në Prizren, u shpall sot, më 31 korrik.
“Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat dhe familjarët e tyre”, tha Prokuroria Speciale.
Në njoftim u tha gjithashtu se ky aktgjykim fuqizon përpjekjet dhe angazhimin e Prokurorisë Speciale për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e kryera gjatë luftës, si dhe për të siguruar që autorët të përballen me drejtësinë.
Pleskoviq akuzohet se gjatë vitit 1998-1999 në Prizren, në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-1999 në Prizren, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.
Pas shpalljes së aktgjykimit, nëna dhe motra e viktimave thanë se dënimi prej 15 vjetësh është i ulët. Sipas tyre, i akuzuari Pleskoviq duhej të dënohej me burgim të përjetshëm.
Po ashtu, edhe avokati i rastit, Gent Gjini, tha se do të bëjnë ankesë ndaj vendimit të gjykatës.