Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për të dyshuarit në vrasjen e Muhamed Likës, specifikohet kërkesa për Rejhan Belën

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të gjithë të arrestuarit në rastin e vrasjes së rreshterit policor nga Kaçaniku, Muhamed Lika. Për Haki Belën, Rilind Muratin, Vatan Cakën, Edmond Likën, Shkëlqim Kukën dhe Diamant Gashin, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga gjykata, masën e vazhdimit të paraburgimit, pa…

Lajme

19/05/2025 12:47

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të gjithë të arrestuarit në rastin e vrasjes së rreshterit policor nga Kaçaniku, Muhamed Lika.

Për Haki Belën, Rilind Muratin, Vatan Cakën, Edmond Likën, Shkëlqim Kukën dhe Diamant Gashin, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga gjykata, masën e vazhdimit të paraburgimit, pa specifikuar kohën edhe për sa muaj, me arsyetimin se “ende nuk kanë pushuar rrethanat dhe arsyet për të cilat është caktuar masa paraburgimi si dhe nevojitet të ndërmerren veprime hetimore në vazhdim dhe të nxirren edhe provat e cekura më lartë”.

“Ju njoftojmë se prokurori i rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë kërkesë për vazhdim të masës së paraburgimit edhe për dy muaj për të gjithë të pandehurit madhor me iniciale: H.B., R.M.,V. Ç., E.L., Sh.K dhe D.G., për rastin në fjalë”u tha në përgjigjen e prokurorisë për lajmi.net.

Gjithashtu Prokuroria njoftoi se Departamenti për të Mitur në Ferizaj ka parashtruar kërkesën për vazhdimin e paraburgimit ndaj të miturit, për shkak të dyshimti të veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Kësisoj, për të dyshuarin tjetër Rejhan Bela, i cili në kohën kur kishte ndodhur rasti ishte akoma i mitur, rasti është veçuar.

“Është e domosdoshme që në këtë fazë të procedurës të caktohet masa e paraburgimit, me qëllim të sigurimit të prezencës së të pandehurve në procedurë penale, si dhe zhvillimit në mënyrë të suksesshme të kësaj procedure”, ka specifikuar prokurori i rastit.

Këtë kërkesë të prokurorisë, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka pranuar por akoma nuk ka marrë vendim, meqë sipas tyre “ka ende kohë, për shkak se masa e parë e paraburgimit është ende në vazhdim deri më 20 maj të këtij viti”.

Prokuroria pretendon se “i mituri Rejhan Bela, me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë, rreshter Muhamed Lika, ku viktima pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, i njëjti ishte përcjell në vazhdimësi nga madhorët deri te hyja e banesës së tij ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri Rejhan Bela i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri”.

Në vend të ngjarjes, janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm. Nga plagët e marra, i ndjeri Muhamed Lika ka ndërruar jetë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik, ku ekipet mjekësore kanë konstatuar vdekjen e tij.

Më pas, prokuroria pretendon se pasi ka shtënë në zyrtarin policor, i mituri Rejhan Bela “ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit ‘Dukagjìni’ ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës ‘Mejdi Dalloshi’ ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri”.

Nga pamjet e kamerave, thuhet se është vërejtur paraprakisht se i pandehuri Haki Bela “e përcjellë zyrtarin policor prej momentit të daljes nga stacioni duke i shkuar mbrapa e pas kryerjes së veprës penale nga i mituri Rejhan rreth 14 minuta mbrapa vije në afërsi të vendit të ngjarjes duke qëndruar një kohë dhe duke u larguar”.

Për të pandehurin Vatan Caka, prokuroria pretendon se e ka parë në shoqëri të Rilind Muratit dhe Rejhan Belës, “ku të njëjtit para kryerjes së veprës penale vërehen duke vëzhguar vendin e ngjarjes (kamerat e sigurisë të marketit “Besa”, ora 21:54)”.

Në video incizime, prokuroria thotë se ka parë të pandehurin Edmond Likën në shoqëri të të pandehurve, “ku së bashku me të pandehurin Shkëlqim Kuka e përcjellin rreshterin Mohamed Lika nga dalja nga Stacioni Policor ku i pandehuri Edmond deri sa ka qenë në veturën “Opel Astra” me të kaluar viktima del nga vetura pronë e të pandehurit Shkëlqim dhe vazhdon me e veturën “Golf II” në përcjellje të viktimës ndërsa i pandehuri Shkëlqim vazhdon me veturën “Opel Astra” duke përcjellë viktimën”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë themelore në Ferizaj.

Ndërsa për të dyshuarin tjetër, Diamant Gashi prokuroria thotë se ai “përmes telefonit kontakton të pandehurin Haki Bela dhe i njëjti e strehon dhe i ofron ndihmë në ushqim dhe gjana tjera të miturit Rejhan Bela”.

Me të gjitha këto, Prokuroria Themelore në Ferizaj, thotë se “dyshohet të kenë kryer në bashkëkryerje veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”./Lajmi.net/