Prokuroria kërkon pranimin e videos së Surroit dhe Goranit për qëllime të “diskreditimit” të dëshmitarit
Prokuroria kërkoi që në prova materiale të pranohet një video, në të cilënDukagjin Gorani dhe Veton Surroi për BBC-në flisnin për Hashim Thacin. Kjo kërkesë u bë me arsyetimin se si provë do përdorej për diskreditimin e dëshmitarit Paul Williams. “Ky dëshmitar ka thënë që nuk ka dëgjuar asnjë gjë kërcënuese të del nga goja…

Lajme
Prokuroria kërkoi që në prova materiale të pranohet një video, në të cilënDukagjin Gorani dhe Veton Surroi për BBC-në flisnin për Hashim Thacin. Kjo kërkesë u bë me arsyetimin se si provë do përdorej për diskreditimin e dëshmitarit Paul Williams.
“Ky dëshmitar ka thënë që nuk ka dëgjuar asnjë gjë kërcënuese të del nga goja e zotit Thaçi, ndërkohë që e dëgjuam në këtë video se situata ka qenë e ndryshe”, tha prokurori James Pace, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Përpara kësaj, ngjashëm si James Rubin edhe Williams iu prezantua një video-dokumentar i BBC-së, në të cilin reporteri thoshte se fokusi ka qenë tek delegacioni shqiptar.
Reporteri thoshte se ky delegacion kishte zgjedhur një person pa përvojë dhe të ri si udhëheqës të tyre, Hashim Thaçin. Reporteri tha se i tërë delegacioni e nxiti Thaçin që ta pranonte marrëveshjen, por që ai refuzoi sepse marrëveshja nuk kishte përfshirë asgjë me pavarësinë.
Gorani thoshte se delegacioni e emëroi Thaçin si drejtues, duke mos e ditur se mund të ktheheshin në të burgosurit e tyre. Kurse, Surroi kishte thënë se ishte një “po” e shkëlqyer nga të gjitha anët me përjashtim të Thaçit që ishte shumë i prerë, se “tha jo”.
Gorani vazhdoi duke thënë se Thaçi ishte shumë i prerë dhe i tha delegacionit ‘shkoni ky dokument, ky formulim është tërësisht i papranueshëm”. Surroi tha se Thaçi përdori gjuhën kërcënuese- dhe mund të kuptohej si kërcenim.
Më tej, u tha se Dukagjin Gorani tha për Thaçin se iu kishte thënë se kush do që e nënshkruan tani këtë dokument, ai do ta konsiderojë atë si armik të kombit.
Por, dëshmitari Williams mohoi të ketë dëgjuar Goranin të thoshte atë që ia tha gazetarit të BBC-së. Ngjashëm u përgjigj nëse pas Rambujesë i kishte thënë Gorani se atje ka pasur mjedis kërcënues.
Prokurori kërkoi që në prova materiale të pranohej kjo video, me arsyetimin për vertetësinë e informacionit të dhënë si dhe për qëllime diskreditimi.
Këtë e kundërshtoi mbrojtja, duke thënë se Williams nuk dha asgjë të rëndësishme lidhur me atë që pretendohet në video.
“Ne mendojmë që ekzistojnë baza për pranimin e këtij dokumenti. Ky dëshmitar ka thënë që nuk ka dëgjuar asnjë gjë kërcënuese të del nga goja e zotit Thaçi ndërkohë që e dëgjuam në këtë video se situata ka qenë e ndryshme”, tha prokurori.
Trupi gjykues kërkoi shpjegim se nga e bën Prokruoria këtë lidhje.
“Nuk po themi që dwshmitari po gënjen, por këtu kemi tregues ose kemi informacione që thonë që këta dy persona janë ata që kanë shfaqur shqetësimet e tyre dhe besojmë që është me vend që të kërkojmë pranimin e këtij dokumenti sa i takon besueshmërisë së këtij dëshmitari e po ashtu edhe vërtetësisë së përmbajtjes së këtij dokumentari”, tha prokurori.
Trupi gjykues tha se do i jepej një numër privozor këtij dokumenti dhe vendimi do të merret më vonë.