Prokuroria kërkon dënim maksimal për Millosh Pleskoviqin që akuzohet për krime lufte, mbrojtja lirim nga akuza

Në fjalën përfundimtare të hënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për krime lufte ndaj Millosh Pleskoviq, prokurori Ilir Morina, tha se sot pas më shumë se 25 vitesh palët e dëmtuara më në fund do të kenë mundësinë të kuptojnë se çka ka ndodhur me fatin e fëmijëve të tyre 27 vite më…

Lajme

28/07/2025 16:15

Në fjalën përfundimtare të hënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për krime lufte ndaj Millosh Pleskoviq, prokurori Ilir Morina, tha se sot pas më shumë se 25 vitesh palët e dëmtuara më në fund do të kenë mundësinë të kuptojnë se çka ka ndodhur me fatin e fëmijëve të tyre 27 vite më parë.i kërkoi dënim maksimal për të akuzuarin, kurse mbrojtja e këtij të fundit aktgjykim lirues.

Pleskoviq po akuzohet se gjatë vitit 1998-‘99 në Prizren në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë.

Prokurori Morina fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, por që shkurtimisht e elaboroi në seancë, duke thënë se sot i ka arritur fundi një çështjeje shumë të rëndësishme për drejtësi në përgjithësi dhe për palët e dëmtuara në veçanti.

“Këtë shtator të vitit 2025 bëhen 27 vite që zonja Mihrije, nëna e dy fëmijëve binjakë është duke kërkuar përgjigjen në pyetjen se kush ia vrau djemtë, besojmë se kjo gjykatë do t’i ofrojë përgjigje dhe drejtësi në të njëtën kohë”, ka thënë prokurori.

Morina tha se përgjatë disa muajve të këtij gjykimi, janë dëgjuar dëshmi të ndryshme dhe janë shqyrtuar prova të ndryshme, të cilat kanë ofruar një pamje të qartë të veprimeve të kryera nga i akuzuarit Pleskoviq.

“Krimet e luftës nuk janë krime vetëm kundër individëve, por kundër gjithë njerëzimit dhe ndërgjegjes së civilizimit modern. Drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre është një domosdoshmëri morale dhe ligjore, ndëshkimi i këtyre autorëve është një hap i domosdoshëm drejt pajtimit, së vërtetës dhe mbylljes së plagëve të së kaluarës”, ka thënë prokurori.

Prokurori Morina në fund kërkoi që i akuzuari Millosh Pleskoviq të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet dënim maksimal.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Pleskoviq, avokatja Jovana Filipoviq e dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim dhe ndër tjera tha se i propozon gjykatës që aktgjykimi të mos nxjerret në bazë të supozimeve se “kush ishte” por në bazë të asaj se “çka dinë”, në bazë të provave dhe ligjit.

Po ashtu, ajo tha se askush nga dëshmitarët nuk e akuzon të akuzuarin, përveç dëshmitarit Xhenger Cana, andaj sipas saj, edhe aktgjykimi duhet të jetë lirues.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-’99  në Prizren, në bashkëkryerje me person tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.

Sipas aktakuzës, Pleskoviq duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb, më 1 shtator 1998 në Prizren derisa ishin duke shkuar për në malin e tyre viktimat R.D., B.D., F.B., së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, fillimisht janë ndalë papritmas nga grupi i armatosur serb, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe, e që në mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Pleskoviq.

Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Pleskoviq kishte filluar të gjuajë me armë të tipit “Kallashnikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.

Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e R., dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F., nuk e kishte kokën në trup.

Andaj, për këto veprime Pleskoviq po ngarkohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale./BetimipërDrejtësi