Prokuroria kërkon caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për “kanosje” ndaj gjinekologut Afrim Veliu

Sot, është arrestuar edhe personi i dytë i dyshuar për sulmin dhe vendosjen e granatës së dorës afër ordinancës “Medica”, të gjinekologut kosovar Afrim Veliu në Ulpianë. Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, shkruan lajmi.net. “Më 03.06.2025 pas veprimeve hetimore lidhur me rastin është arrestuar edhe i dyshuari i dytë…

Lajme

04/06/2025 13:56

Sot, është arrestuar edhe personi i dytë i dyshuar për sulmin dhe vendosjen e granatës së dorës afër ordinancës “Medica”, të gjinekologut kosovar Afrim Veliu në Ulpianë.

Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, shkruan lajmi.net.

“Më 03.06.2025 pas veprimeve hetimore lidhur me rastin është arrestuar edhe i dyshuari i dytë mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.

Për dy të dyshuarit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar për veprën penale ”Kanosje” bazuar nga neni 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.  Prokurori i shtetit, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personave të dyshuar. Për më shumë informacione ju njoftojmë në vazhdimësi”, ka thënë Prokuroria Themelore për lajmi.net.

Gjinekologu kosovar, Afrim Veliu është sulmuar fizikisht mbrëmjen e 20 majit derisa po futej në veturën e tij.

“Sipas informacioneve të para dyshimet janë ngritur se, teksa po futej në veturë viktima është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prishtinë, Agron Borovci.

Sipas Borovcit, viktima ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë trajtim mjekësor. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa motivi i sulmit mbetet i panjohur.

“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe ka nisur  ndërmarrjen e veprimeve operative dhe hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar  një hetim në drejtim të veprës penale  “Lëndim i lehtë trupor””.

Pesë ditë më pas, me 25 maj afër ordinancës së tij është vendosur një mjet i dyshimtë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës në Prishtinë, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 14:00 kemi pranuar informatën për një mjet të dyshimtë shpërthyes në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’ në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore të cilat po ndërmarrin veprimet e nevojshme për ta menaxhuar situatën”, tha Ahmeti.

Në lidhje me sulmin ndaj tij u pat deklaruar edhe vetë Veliu i cili pat thënë se nuk dyshon se kjo lidhet me punën e tij.

Për sulmin dhe granatën e dorës afër ordinancës së tij, është arrestuar një person më 28 maj.

Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës e cila ka dhënë detaje se i dyshuari është identifikuar dhe arrestuar në Fushë Kosovë.

“Më 20.05.2025, një qytetar u sulmua fizikisht nga një person i panjohur përballë ordinancës së tij, duke pësuar lëndime të lehta trupore. Katër ditë më vonë, më 24.05.2025, në hyrje të së njëjtës ordinancë, u gjet një granatë dore F-1 pa mekanizëm ndezës, e cila u largua në mënyrë të sigurt nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplodues (NJTME). Pas hetimeve të thelluara, dje në Fushë Kosovë është identifikuar dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit. Gjatë bastisjes në adresën ku qëndronte me qira, janë sekuestruar prova relevante. Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Kanosja” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Veliu është një nga gjinekologët më të njohur në Kosovë. /Lajmi.net/