​Prokuroria jep detaje për bastisjen në Ministri të Infrastrukturës, dy të dyshuar

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës po zhvillohet një aksion, ku dy persona po dyshohen lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Në një përgjigje me shkrim të prokurorisë, thuhet se ata përveç tjerash akuzohen për shpëlarje parash. “Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se…

Lajme

08/10/2024 13:29

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës po zhvillohet një aksion, ku dy persona po dyshohen lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Në një përgjigje me shkrim të prokurorisë, thuhet se ata përveç tjerash akuzohen për shpëlarje parash.

“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në MMPHI. Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga neni 414 i KPK-së, shpëlarjes së parasë nga neni 302 i KPK-së dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 430, paragrafi 2 i KPK-së. Pas përfundimit të aksionit do të informoheni për detaje tjera”, thuhet në përgjigje.

Sipas raportimeve të para kjo bastisje ka të bëjë me raportimin për ambalazhuesit e ujit.

Saktësisht këto hetime po lidhen me Departamentin për Pellgje Ujore, që drejtohet nga Naser Hafizi, e që ishte përmendur në kuadër të raportimeve për ambalazhuesit e ujit.

Siç ishte raportuar ministria kishte shlyer borxhe për firma të ndryshme në mënyrë të dyshimtë, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm mbi 10 milionë euro.

Në lidhje me këtë ishte deklaruar edhe ministri Aliu, i cili ka mohuar akuzat.

“Në lidhje me borxhin e kompanive që ambalazhojnë, unë vetëm dua të them kështu: Nuk ka asnjë vendim për falje të asnjë borxhi, qysh njëjtë nuk ka asnjë vendim i cili e përcakton borxhin milionësh çfarë pretendohet. Çka ka, ka pagesa të rregullta, normale qysh kanë qenë në cilëndo prej qeverive sipas raportimeve të kompanive për sasinë e ujit të shitur që e kanë pas. Për kompani të cilat nuk kanë raportu dhe supozohet se kanë borxhe, në cilëndo prej qeverive më herët ka pasur një lloj kalkulimi të një borxhi të supozuar në bazë të udhëzimit administrativ që thotë me marr sasinë maksimale të ujit që shfrytëzohet. Kjo është në shpërputhje me vetë këtë udhëzim administrativ ku thotë këtu shumë qartë, thotë: Të gjithë ambalazhuesit të ujit mineral apo të pijshëm paguajnë 0.009 euro për litër të shitur, pra thuhet për litër të shitur. Sasia e shitur që shesin kompanitë nuk mund të përcaktohet as me ujëmatës, as nuk mund të përcaktohet nga sasia maksimale që ata e marrin ujin. Pra se sa ata shesin duhet me përcaktu në mënyra tjera ose me raportim të tyre”, ka deklaruar Aliu në Kuvend. Ai e quajti “nonsens” këtë përllogaritje, që tha se ka ndodhur edhe në qeveritë e kaluara. Për kompanitë që tashmë kanë paguar borxhet, ai tha se llogaritja është bërë në bazë të raportimit të tyre.

“Krejt mund të supozohet është që një kompani ka mujt maksimalisht me prodhu kaq dhe po e supozojmë që atë sasi që e paska prodhu e paska shit, atëherë mundemi me thanë që kaq maksimalisht ke mujt me shit, rrjedhimisht në bazë të kësaj analize maksimale mundet me qenë borxhi yt maksimal kaq, por kjo nuk mundet me përfundu në vendim me thanë filan kompania i paska shit kaq miliona e miliarda litra ujë. Nëse themi 90 milionë euro borxh edhe konsiderojmë që qenka borxh taman, kjo i bjen me pretend që qenkan me dhjetëra miliarda ujë të shitur në vendin tonë. Kjo është një nonsens, që ka qenë nonsense në cilëndo qeveri dhe këtë nonsense e dinë të gjithë. Nëse ka pas kompani të përgjegjshme qysh po pretendohet tash prej disave, qato të njëjtat kompani të përgjegjshme që i kanë pagu borxhet e veta është llogaritë në bazë të raportimeve që i kanë ba”, pati thënë ai.