Prokuroria fillon hetimet për vdekjen e 23-vjeçarit në Gjilan, që e humbi jetën në vendin e punë, pas rënies nga kati i gjashtë

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastin e 23-vjeçarit, Rinor Haxhiu, i cili humbi jetën pas rënies nga kati i gjashtë i një ndërtese në ndërtim në Gjilan më 24 tetor 2025. Sipas Prokurorisë, dyshimet fillestare përfshijnë kryerjen e veprës penale të asgjësimit, dëmtimit ose heqjes…

Lajme

31/10/2025 14:58

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastin e 23-vjeçarit, Rinor Haxhiu, i cili humbi jetën pas rënies nga kati i gjashtë i një ndërtese në ndërtim në Gjilan më 24 tetor 2025.

Sipas Prokurorisë, dyshimet fillestare përfshijnë kryerjen e veprës penale të asgjësimit, dëmtimit ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimit të sigurisë në vendin e punës, sipas nenit 358 të Kodit Penal të Kosovës. Për këtë rast, më 25 tetor 2025, janë ndaluar për 48 orë të pandehurit L.H. dhe F.R., të cilëve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak nga Gjykata Themelore në Gjilan. Prokuroria ka paraqitur ankesë ndaj këtij vendimi më 27 tetor 2025, transmeton lajmi.net.

Po ashtu, më 27 tetor 2025 është ndaluar edhe i pandehuri N.D., ndaj të cilit është zgjeruar hetimi për të njëjtën vepër penale. Gjykata Themelore i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, kundër të cilit Prokuroria ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit më 29 tetor 2025.

Prokuroria njofton se më 31 tetor 2025 është konfirmuar vdekja e punëtorit të lënduar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe për këtë është lëshuar urdhër për autopsi për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij aksidenti tragjik./lajmi.net/