Prokuroria e Shtetit jep detaje: 17 raste të dyshuara për cenim të së drejtës së votimit gjatë procesit zgjedhor, disa persona të ndaluar
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka pritur në takim Koordinatoren Kombëtare për Zgjedhje, prokuroren Laura Pula, ku është diskutuar për trajtimin e rasteve penale që ndërlidhen me veprat kundër të drejtës së votimit. Në këtë takim, u theksua angazhimi i sistemit prokurorial në mbikëqyrjen e procesit zgjedhor dhe reagimin ndaj çdo…
Lajme
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka pritur në takim Koordinatoren Kombëtare për Zgjedhje, prokuroren Laura Pula, ku është diskutuar për trajtimin e rasteve penale që ndërlidhen me veprat kundër të drejtës së votimit.
Në këtë takim, u theksua angazhimi i sistemit prokurorial në mbikëqyrjen e procesit zgjedhor dhe reagimin ndaj çdo dyshimi për parregullsi, me qëllim mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve dhe të drejtës së qytetarëve për të votuar lirshëm.
U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Agron Qalaj, vlerësoi punën e Koordinatores Kombëtare për Zgjedhje, Laura Pula, si dhe angazhimin e prokurorëve dhe zyrtarëve të sistemit prokurorial, duke theksuar se janë treguar profesionalizëm dhe përgjegjësi gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Ai theksoi se toleranca ndaj çdo tentative për cenim të vullnetit të qytetarëve mbetet zero, ndërsa reagimi institucional ndaj çdo dyshimi për shkelje është i menjëhershëm.
Nga ana tjetër, prokurorja Laura Pula bëri të ditur se gjatë ditës së zgjedhjeve Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata për parregullsi të mundshme, të cilat pas verifikimit kanë rezultuar në 17 raste që lidhen me vepra penale kundër të drejtës së votimit.
Sipas saj, nga këto raste, pesë persona janë ndaluar në ditën e zgjedhjeve, ndërsa 12 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Pula gjithashtu theksoi se rastet janë duke u trajtuar në prokuroritë themelore dhe deri më tani po vazhdojnë në procedurë të rregullt.
Në përfundim të takimit, të dy zyrtarët ritheksuan përkushtimin e Prokurorit të Shtetit për trajtimin prioritar të rasteve që lidhen me procesin zgjedhor dhe garantimin e integritetit të votës. /Lajmi.net/