Prokuroria e Prizrenit dhe Ambasada Britanike diskutojnë luftën kundër kontrabandimit të migrantëve dhe pastrimit të parave
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në një takim pune përfaqësues të Ambasadës Britanike në Kosovë, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar. Sipas një komunikate të Prokurorisë Themelore në Prizren, në takim morën pjesë Alan Edwards, mentor për Ekipet e Përbashkëta Hetimore (JIT), Altina…
Lajme
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në një takim pune përfaqësues të Ambasadës Britanike në Kosovë, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar.
Sipas një komunikate të Prokurorisë Themelore në Prizren, në takim morën pjesë Alan Edwards, mentor për Ekipet e Përbashkëta Hetimore (JIT), Altina Besimi, zyrtare për zbatim të politikave në sundim të ligjit, si dhe Blend Zyrapi, këshilltar teknik.
Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me kontrabandimin e migrantëve dhe pastrimin e parave, të cilat u cilësuan si forma komplekse të kriminalitetit ndërkufitar që kërkojnë qasje të specializuar dhe bashkëpunim të avancuar ndërinstitucional e ndërkombëtar.
Po ashtu, u diskutua për sfidat në hetimin dhe ndjekjen e këtyre veprave penale, si dhe për rëndësinë e koordinimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve përkatëse.
Kryeprokurori Kryeziu theksoi përkushtimin e Prokurorisë Themelore në Prizren në luftën kundër krimit të organizuar dhe nevojën për forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve hetimore, me qëllim të arritjes së rezultateve konkrete në parandalimin dhe ndjekjen e këtyre formave të kriminalitetit.
Sipas komunikatës, në takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me partnerët ndërkombëtarë dhe u ritheksua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e mekanizmave të përbashkët të hetimit.
Në përmbyllje, palët vlerësuan se bashkëpunimi i vazhdueshëm mbetet kyç për rritjen e efikasitetit në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të rënda kriminale, veçanërisht në fushën e kontrabandimit të migrantëve dhe pastrimit të parave. /Lajmi.net/