Prokuroria: Aksioni në “Avicena” lidhet me lëshimin e certifikatave mjekësore në pika pa licencë

Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës në mëngjesin e sotëm kanë nisur një aksion në nivel vendi, i cili aksion është duke vazhduar. Lajmin e ka konfirmuar Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës. “Ju konfirmoj se Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë është duke…

Lajme

10/10/2024 14:43

Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës në mëngjesin e sotëm kanë nisur një aksion në nivel vendi, i cili aksion është duke vazhduar.

Lajmin e ka konfirmuar Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

“Ju konfirmoj se Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë është duke realizuar një operacion policor në nivel vendi. Pas përfundimit, apo raportimeve nga tereni do te njoftoheni për detajet apo rezultatet e operacionit”, tha Hoxha, pa dhënë detaje të tjera.

Ndërsa, Gjylferije Zabeli nga zyra për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se aksioni po zhvillohet me kërkesë të Krimeve Ekonomike.

“Sot nga ora 10:00, me kërkesën e Krimeve Ekonomike në Prishtinë është duke u zhvilluar inspektim në të gjitha pikat e Avicenës në RKS, inspektimi është duke vazhduar. Pas përfundimit do të dilet me një raport”, tha Zabeli.

E njëjta shtoi se inspektimi në fjalë është i përgjithshëm dhe se nuk ka ndonjë kërkesë specifike.

Prokurori i Prokurorisë Themeloren në Prishtinë në Departamentin për Krime të Rënda, Besnik Jakupi, lidhur me aksionin që po zhvillohet në pikat e laboratorit “Avicena”, tha se dyshojnë që certifikatat mjekësore për patentë shoferë janë lëshuar prej pikave që nuk kanë pasur licencë nga ky laborator.

“Po, me urdhëresë të gjykatës është. Unë e kam ba kërkesën, çertifikatat mjekësore për patentë shoferë janë lëshu prej pikave që nuk kanë pas licencë”, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” prokurori i rastit- Besnik Jakupi.

Gjithashtu, Jakupi tregoi se rasti ka të bëjë me veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i kundërligjshëm i veprimtarisë farmaceutike” si dhe “Rastet e posaçshme të falsifikimit”

Prokurori tha se ende nuk është ndaluar asnjë person.

“Sot jemi duke  e bërë vetëm urdhër-kontrollin. Jemi duke e zbatu, ende nuk kemi ardhur në atë pikë, për momentin jo”, tha Jakupi.