Prokurori Special: Në mesin e të arrestuarve në veri ka eprorë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës

Prokuroria Speciale ka mbajtur një konferencë për media lidhur me aksionin e policisë në veri të Kosovës.

Lajme

28/05/2019 14:08

Prokurori Special, Sylë Hoxha ka thënë se për një periudhë kohorë Prokuroria Speciale ka dëgjuar edhe një numër të konsiderueshëm të dëshmitarëve dhe i ka grumbulluar faktet për veprat penale.

“Prokuroria Speciale pasi i grumbulloi provat ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për kontroll nëpër shtëpitë dhe lokalet përcjellëse për të gjithë këta të dyshuar”, ka deklaruar Hoxha, raporton lajmi.net.

Ai ka theksuar se në mesin e të arrestuarve ka edhe zyrtarë shtetërorë.

“Në mesin e tyre kemi eprorë dhe zyrtarë të policisë së Kosovës, pjesëtarë të nacionalitet serbë, shqiptarë e boshnjakë, të dyshuar për kontrabandë dhe vepra tjera penale”, ka thënë ai.

Hoxha ka shtuar se gjatë aksionit ka pas edhe vështirësi, me ç’rast janë lënduar edhe disa policë e qytetarë. /Lajmi.net/