Prokurori kërkon që Glauk Konjufca të shpallet fajtor: Nuk ka asnjë rrethanë që do ta lironte nga përgjegjësia penale

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur rigjykimi ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Ai akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, ndërsa sot janë thënë fjalët përfundimtare. Prokurori Dardan Çela kërkoi që i akuzuari të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet një dënim meritor. Prokurori Dardan Çela…

Lajme

26/08/2026 11:08

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur rigjykimi ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Ai akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, ndërsa sot janë thënë fjalët përfundimtare.

Prokurori Dardan Çela kërkoi që i akuzuari të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet një dënim meritor.

Prokurori Dardan Çela tha se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Ai tha se Prokuroria vlerëson se i akuzuari me veprimet e tij që i ka ndërmarrë në ditën kritike, është fajtor dhe i përgjegjshëm.

“Dhe nuk ka asnjë rrethanë që do ta lironte nga përgjegjësia penal. Andaj, propozoj që të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet një dënim meritor sipas ligjit të Kosovës”, tha prokurori Çela.

Po ashtu, Çela shtoi se sa i përket lartësisë së dënimit, Gjykata duhet të marrë parasysh si rrethanë rënduese shkallën e lartë të dashjes për kryerjen e veprës penale dhe rrezikshmërinë konkrete të veprës penale.

E gjithë kjo, sipas prokurorit, duke marrë parasysh faktin se vendi ku është përdorur gazi lotsjellës, ka qenë vend i mbyllur dhe institucion publik ku kanë qenë të pranishëm edhe persona tjerë.