Prokurori i Shtetit: 27 aktakuza, tetë persona të ndaluar dhe shtatë kërkesa për paraburgim në 24 orët e fundit

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë ngritur 27 aktakuza kundër 27 personave për vepra të ndryshme penale në të gjithë Kosovën. Sipas raportit ditor, me urdhër të prokurorëve janë ndaluar tetë persona të dyshuar, ndërsa janë parashtruar shtatë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave. Numrin…

Lajme

16/06/2026 11:32

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë ngritur 27 aktakuza kundër 27 personave për vepra të ndryshme penale në të gjithë Kosovën.

Sipas raportit ditor, me urdhër të prokurorëve janë ndaluar tetë persona të dyshuar, ndërsa janë parashtruar shtatë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave.

Numrin më të madh të aktakuzave e ka ngritur Prokuroria Themelore në Gjilan, me gjithsej 12 aktakuza për vepra të ndryshme, përfshirë dhunën në familje, sulmin, mashtrimin, vjedhjen dhe posedimin e paautorizuar të narkotikëve.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur gjashtë aktakuza dhe ka ndaluar dy persona për veprën penale “Sulmi”. Në mesin e aktakuzave të ngritura në kryeqytet figuron edhe një rast për veprën penale “Vrasja”.

Në Prizren janë ndaluar dy persona dhe janë parashtruar katër kërkesa për paraburgim ndaj gjashtë personave, përfshirë raste të dyshuara të vrasjes së rëndë, dhunës në familje dhe lëndimit trupor.

Prokuroria Themelore në Pejë ka ndaluar një person për veprat penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Kanosja”, ndërsa ka ngritur dy aktakuza, njëra prej tyre për “Vrasje në tentativë”.

Në Gjakovë është ndaluar një person për kanosje, janë paraqitur dy kërkesa për paraburgim dhe janë ngritur pesë aktakuza për vepra të ndryshme penale.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ndaluar dy persona, njëri për veprën penale “Dhunimi” dhe tjetri për “Dhënia e ryshfetit”, si dhe ka ngritur dy aktakuza për armëmbajtje pa leje.

Në Ferizaj është parashtruar një kërkesë për paraburgim ndaj një personi të dyshuar për veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”. /Lajmi.net/