Projektligji për pagat i pranueshëm për Shoqatën e Gjykatësve të Kosovës

Shoqata e Gjykatësve të Kosovës ka kundërshtuar Projektligjin për pagat që realizohen nga buxheti i Kosovës.

Lajme

22/05/2015 14:52

Në reagimin e kësaj shoqate thuhet se me këtë Projektligj është shkelur parimi i ndarjes së pushteteve dhe barazia ndërmjet tyre.

“Formimi i koeficienteve për pagat siç është paraparë në këtë projektligj e degradon pushtetin gjyqësor, dhe, edhe më shumë shton hendekun ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit në njërën anë, dhe gjyqësorit si pushtet i tretë në anën tjetër, por edhe ne mes te sistemit Gjyqësor dhe atij prokurorijal, e qe mos koordinimi i punës në mes këtyre pushteteve, do të ndikonte drejtpërdrejtë në mos funksionalizimin e Sistemit të drejtësisë së Kosovës”, thuhet në reagim transmeton lajmi.net.

Po ashtu, Shoqata e Gjykatësve të Kosovës, vlerëson se Gjyqësori në Kosovë për vite të tëra u la pas dore dhe pa përkujdesje të shoqërisë.

“Dy pushtetet e tjera, ekzekutivi dhe legjislativi, por edhe sistemi prokurorilal u favorizuan vazhdimisht dhe rregulluan sipas dëshirës, pozitën e tyre materiale, kurse gjyqësori, duke qenë i degraduar edhe sot e kësaj ditë po vuan pasojat e moskujdesit shtetëror”.

“Çështja e pagave të gjyqësorit është e rregulluar me Ligjin për Gjykatat, dhe në bazë të nenit 29 të këtij ligji, Kryetari i Gjykatës Supreme pranon pagë ekuivalente me atë të Kryeministrit, kurse të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Supreme pranojnë pagë me atë të një ministri në Qeveri”.

“Vendosja e koeficienteve shumë të ultë në projektligj dhe mosrespektimi i pozitës së gjykatësit, ashtu siç është paraparë me Ligjin për Gjykatat, cenon rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe e kthen atë në vitin 2009”.

“Shoqata e Gjykatësve të Kosovës kërkon nga institucionet vendëse dhe ato ndërkombëtare që pozita materiale e gjykatësve të mos degradohet. Në të kundërtën do të sjellë pasoja për shoqërinë dhe sistemin demokratik që po synohet të arrihet në Kosovë ,dhe çdo gjyqtar do ta shqyrton pozicionin e tij, dhe mund të jetë me pasoja të rënda për sistemin gjyqësorë”, thuhet në reagim.