“Projekt politik për të kënaqur Serbinë” – Robert Bosch mbështet kritikat ndaj Gjykatës Speciale

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar sërish në lidhje me zhvillimet rreth Gjykatës Speciale, duke ndarë në Facebook pjesë nga një intervistë e profesorit britanik të marrëdhënieve ndërkombëtare, Aidan Hehir. Bosch ka përkrahur hapur qëndrimet kritike të profesorit, të cilat i ka cilësuar si “fjalë të mençura”, duke bërë të qartë pozicionin…

Lajme

01/07/2025 22:27

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar sërish në lidhje me zhvillimet rreth Gjykatës Speciale, duke ndarë në Facebook pjesë nga një intervistë e profesorit britanik të marrëdhënieve ndërkombëtare, Aidan Hehir. Bosch ka përkrahur hapur qëndrimet kritike të profesorit, të cilat i ka cilësuar si “fjalë të mençura”, duke bërë të qartë pozicionin e tij kundërshtues ndaj kësaj gjykate.

Në postimin e tij, Bosch ka shpërndarë pjesë nga analiza e Hehir-it, ku theksohet se Gjykata Speciale është një projekt me prapavijë politike, i krijuar për t’i shërbyer interesave të Serbisë dhe për ta larguar atë nga ndikimi i Rusisë, duke e afruar me Perëndimin.

“Gjykata Speciale është një organ politik i pastër. U krijua me një qëllim të vetëm: për të kënaqur Serbinë. Fuqitë e mëdha perëndimore e detyruan qeverinë e Kosovës ta themelonte, pavarësisht mungesës së mbështetjes publike apo politike në vend,” thuhet në pjesën e ndarë nga Bosch.

Sipas profesorit Hehir dhe, në mënyrë të tërthortë, edhe vetë Bosch, kjo gjykatë nuk është e ndërtuar mbi parime të drejtësisë së barabartë, por i shërben një narrative politike që e dëmton luftën çlirimtare të UÇK-së dhe përforcon propagandën serbe, transmeton lajmi.net.

“Serbia dëshiron ta paraqesë konfliktin si një luftë ku ‘të dy palët’ kanë qenë fajtorë dhe ta etiketojë UÇK-në si organizatë terroriste që ka sulmuar civilët serbë,” thuhet më tej në intervistën e publikuar nga ish-diplomati holandez.

Robert Bosch, i njohur për qasjen e tij kritike ndaj mënyrës se si bashkësia ndërkombëtare ka trajtuar çështjen e Kosovës, në këtë rast dërgon një mesazh të qartë se e konsideron Gjykatën Speciale si një instrument politik që minon drejtësinë dhe cenon historinë e luftës çlirimtare.

Profesori Hehir gjithashtu paralajmëron për pasoja të rënda nëse udhëheqësit e UÇK-së shpallen fajtorë nga kjo gjykatë:

“Kosovarët me të drejtë ndihen se aleatët perëndimorë u janë kthyer kundër. Nëse Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi shpallen fajtorë, kjo mund të çojë në trazira sociale në Kosovë dhe do t’i japë hov nacionalizmit serb.”

Ky reagim vjen në një kohë kur në Kosovë mbizotëron një debat i ashpër publik dhe politik rreth rolit dhe legjitimitetit të Gjykatës Speciale, e cila po gjykon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./lajmi.net/