Profesori serb propozon “Union të shteteve të pavarura Serbi-Kosovë”! I pëlqen Vuçiqit
Propozimi për “union real” të shteteve të pavarura të Serbisë dhe Kosovës, union ky që do të kishte tregun, doganën dhe politikën monetare të përbashkët, është i pari në kuadër të dialogut të brendshëm për Kosovën që ka marrë vëmendjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajme
Para më shumë se një muaji në Serbi ka filluar dialogu i brendshëm për Kosovë. Qëllimi i këtij dialogu i propozuar nga Vuçiq është “gjetje e zgjidhjes për Kosovën, e cila do të ishte e pranueshme edhe për serbët edhe për shqiptarët”.
Vuçiq, i cili edhe i ka nisur këto biseda të brendshme, kohë më parë e ka ndarë nga të tjerët, propozimin e profesorit të së drejtës kushtetuese, Vladan Kutleshiq, transmeton lajmi.net.
“Jam i befasuar me atë që e ka shpalosur. Po të ishim të mençur pra 10, 15 apo 20 vjetësh, ndoshta disa gjëra do të ishin më ndryshe”, ka thënë Vuçiq.
Çfarë do të thotë “Unioni real Serbi-Kosovë”?
Profesori Kutleshiq, ka propozuar unionin e shteteve të pavarura të Serbisë e të Kosovës, por që do të mbeteshin të ndërlidhura mes vete, shkruan gazeta serbe “Blic”.
“Propozimi im parasheh që Serbia të njohë Kosovën si shtet të pavarur, por ajo do të mbetej institucionalisht në lidhje me Serbinë. Kjo do të ishte unioni doganor, që do të kishte tregun unik dhe politikën monetare unike”, ka sqaruar Kutleshiq .
Propozimi i tij parasheh edhe autonominë politike e territoriale për serbët në pjesën veriore të Kosovës, ku jetojnë rreth 100 mijë, ndërsa serbët që jetojnë në jug të Ibrit do të fitonin autonominë personale (kulturore, të gjuhës, informative).
Po ashtu, prona e Kishës Ortodokse Serbe dhe monumentet mesjetare serbe, sipas propozimit të tij, do të fitonin autonomi funksionale, përkatësisht ato do të qeveriseshin nga Enti Republikan i Serbisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës ose nga një organ në Kosovë që do të paguhej nga Serbia.
Kutleshiq sqaron se Kosova do të merrte karrige në Kombet e Bashkuara, por Serbia do të nënshkruante marrëveshje detyruese se në organizatat ndërkombëtare nuk do të mund të votonin kundër njëra tjetrës.
Një pjesë e propozimit të tij është që zgjidhja përfundimtare të miratohej në një konferencë ndërkombëtare, në të cilën do të merrnin pjesë SHBA,Kina, Rusia, Gjermani, Franca, që do të ishin edhe garantues të saj.
“Serbia do të detyrohej të kërkojë nga Brukseli garanci për anëtarësim në Bashkimin Evropian nëse do të nënshkruhej një marrëveshje e tillë”, ka thënë Kutleshiq. /Lajmi.net/