Profesori i ekonomisë: Rritja e pagës minimale mund të nxisë inflacionin dhe punësimin joformal
Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka komentuar rritjen e pagës minimale në Kosovë, duke vlerësuar ndikimin që pritet të ketë në standardin e jetesës, çmimet dhe tregun e punës. Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Misini tha se rritja e pagës minimale ka reflektuar menjëherë në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Sipas tij, në…
Lajme
Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka komentuar rritjen e pagës minimale në Kosovë, duke vlerësuar ndikimin që pritet të ketë në standardin e jetesës, çmimet dhe tregun e punës.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Misini tha se rritja e pagës minimale ka reflektuar menjëherë në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.
Sipas tij, në ekonomi konsiderohet se rritja e pagave pa rritje të produktivitetit prodhon inflacion.
“Rritja e pagës minimale ka reflektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në ekonomi e analizojmë një gjë të tillë: nëse paga rritet pa produktivitet, prodhon inflacion. Për shembull, KESCO, kur kërkoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike, një nga arsyetimet kryesore ishte pikërisht rritja e pagës minimale dhe kostove operative. E njëjta gjë po ndodh edhe në supermarkete dhe biznese të tjera”, deklaroi ai.
Misini shtoi se shumë biznese të vogla dhe të mesme mund ta kenë të vështirë ta përballojnë pagën minimale prej 500 eurosh, gjë që, sipas tij, mund të çojë në largimin e punëtorëve, rritjen e papunësisë dhe zgjerimin e punësimit joformal.
“Shumica e bizneseve të vogla dhe të mesme nuk mund ta përballojnë këtë kosto. Si pasojë, disa mund të detyrohen të largojnë punëtorë, ndërsa të tjera mund t’i mbajnë ata në mënyrë ilegale, pa kontrata pune. Kjo mund të ndodhë sidomos në sektorin e ndërtimit”, u shpreh ai.
I pyetur nëse pret më shumë inspektime për zbatimin e pagës minimale dhe kontratave të punës, Misini u shpreh kritik ndaj punës së Inspektoratit të Punës.
“Unë mendoj se Inspektorati, në përgjithësi, ka dështuar. Kemi parë rastet e fundit të humbjes së jetës në vendet e punës për shkak të mungesës së masave mbrojtëse, çka tregon se mbikëqyrja nuk ka qenë në nivelin e duhur”, tha ai.