Profesoresha që u sulmua fizikisht në Fakultetin e Mjekësisë thotë se nuk e zmbraps “grushti e as plumbi”
Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi-Pupovci, është sulmuar fizikisht në vendin e saj të punës, nga prindi i një studenti, i cili është po ashtu mjek me profesion.
Lajme
Sipas asaj që ka njoftuar Pupovci, ajo është sulmuar fizikisht nga Dr. Arsim Gashi, gjinekolog, i cili është ndarë i pakënaqur me notën që e ka vlerësuar ajo të birin e tij student.
E një ditë pas sulmit, Latifi-Pupovci është deklaruar sërish duke thënë se nota në lëndën që ajo e ligjëron, Fiziologji, nuk do të merret pa u merituar.
Duke shtuar se nuk e zbraps grushti e as plumbi.
“Nuk ka dhunë që më sprapsë nga parimet e mia, as grushti e as plumbi! Nota e Fiziologjisë nuk do të merret pa u merituar nga askush e as nga fëmijët e kolegëve të mi. Me dorën time nuk nënshkruaj mbytjen e fëmijës tim e fëmijës tuaj “nesër””, thuhet ndër të tjera në reagimin e saj sot.
Reagimi i saj i plotë:
Të dashur miq,
Ju falënderoj shumë për përkrahjen morale që po me jepni me reagimet e juaja ndaj një gjesti të shëmtuar e qyqarë!
Ju garantoj,
Nuk ka dhunë që më sprapsë nga parimet e mia, as grushti e as plumbi! Nota e Fiziologjisë nuk do të merret pa u merituar nga askush e as nga fëmijët e kolegëve të mi. Me dorën time nuk nënshkruaj mbytjen e fëmijës tim e fëmijës tuaj “nesër”.
Përgjithmonë e atyre që duan drejtësi e rend në këtë vend.