Produktet e Kosovës në tregun evropian
Oda e Afarizmit të Kosovës -OAK në bashkëpunim me kompaninë gjermane Jacques-d.de, kanë prezantuar mundësinë e shitjes së produkteve të Kosovës në tregun evropian, nëpërmjet platformës digjitale, ku të ftuar ishin bizneset anëtare të saj.
Lajme
Megi Maass, udhëheqëse për investime në Kosovë, tha se ideja për këtë platformë digjitale për Kosovën, ka ardhur duke pasur parasysh zhvillimin e biznesit të Kosovës, i cili nuk është në nivel të kënaqshëm. “Ideja erdhi duke diskutuar me BE-në, se si mund të ndihmohet Kosova në këtë drejtim. Prandaj dhe në bisedë me ta, me kryesuesit e BE-së, menduam që ta bëjmë një platformë digjitale, ku kjo platformë do të mund ta bëjë zhvillimin e bizneseve tona, jo vetëm në nivel rajonal të Ballkanit, mirëpo në shtetet e BE-së, u shpreh ndër të tjera ajo.
Claus Bollrath, CEO në kompaninë gjermane Jacques-d.de, tha se kanë hulumtuar tregun dhe kanë parë se në Kosovë ka produkte mjaft kualitative, të cilat do të mund të depërtonin në tregun Evropian, andaj për këtë arsye edhe kanë vendosur që të vijnë këtu.
Ndërsa Thomas Schules i cili bëri prezantimin e “Portës Komerciale”, tha se shpreson që kjo platformë do të ketë një sukses të madh për Kosovën, ku produkte nga këtu do të mund të gjenden në të gjitha vendet e Evropës dhe botës dhe shtoi se përmes kësaj platforme do të bëhet prezantimi i produkteve të Kosovës dhe kualiteti i tyre, me qëllim që tek kompanitë evropiane të krijohet edhe besimi në produktet të cilat do të prezantohen në platformën në fjalë.
Skënder Krasniqi, kryetar i bordit në OAK tha se kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë e rritjes së eksportit të produkteve tona në tregun evropian dhe botëror, pasi që disbalanci eksport-import në vendin tonë, vazhdon të jetë alarmant, 10% për eksport dhe 90% për importe.
Kjo platformë është në fazën përfundimtare të përgatitjes, dhe sipas kompanisë pritet të plasohet brenda dy muajve e më pastaj do të jetë në dispozicion të bizneseve.
Platforma do të jetë funksionale ne disa gjuhë botërore./Lajmi.net/