Prodi: Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet përshpejtuar

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian vërtetë është ngadalësuar vitet e fundit, por nuk ka asnjë dyshim se e ardhmja e Ballkanit është brenda Europës së Bashkuar, në ndryshim nga vendet që janë në konflikte të nxehta aktuale. 

Lajme

21/10/2014 12:21

Këtë mesazh dha ish-presidenti i Komisionit Europian Romano Prodi, njëherësh ish-kryeministër i Italisë në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri.

Nga konferenca “Shqipëri-Itali, partneritet me Europën”, Prodi tha se duhet të ketë një përshpejtim të procesit të integrimit nga vendet që tashmë e kanë statusin e vendit kandidat, ku bën pjesë edhe Shqipëria…dhe kjo sipas tij realizohet duke sheshuar konfliktet e brendshme politike dhe duke pasur bashkëpunim për “detyrat” kyçe që Komisioni Europian i ka vënë vendit tonë. 

“Vendet kandidate si Shqipëria duhet te vrapojnë dhe duhet një përshpejtim i procesit sepse ka një urgjencë për të përshpejtuar rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Dhe kjo vjen vetëm nëse je pjesë e Bashkimit Europian. Për këtë arsye është e nevojshme të ketë unitet politik të brendshëm. Sidomos për sa i përket luftës kundër korrupsionit e krimit te organizuar”.

“Pra është një proces kompleks. Në këto rajone problemi etnik është i dukshëm sepse kufijtë nuk tregojnë popullsinë e një vendi. Por unioni europian për këtë është, për zhdukjen e kufijve. Dhe Italia me Austrinë ka pasur këtë problem, por u zhdukën me anëtarësimin e Austrisë. Dhe në njëfarë mënyre Europa është bashkim minorancash, dhe ato duhen të konservohen. Duhet të qetësojmë vendet që duhet të hyjnë, por edhe vendet që janë pjesë. Nuk duhet të ketë vende periferike dhe qendrore. Europa duhet të jetë një harmonizim progresiv dhe i thellë”, është shprehur ish-presidenti i Komisionit Europian.