Prodhuesit e qumështit kërcënojnë me protesta dhe bllokim të rrugëve
Shoqata e prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka shprehur pakënaqësitë e saj lidhur me gjendjen e fundit e cila, sipas tyre, po ua pamundëson zhvillimin e veprimtarisë.

Lajme
Përmes një njoftimi për media, anëtarë të kësaj shoqate kanë shfaqur brengën se në vend po importohen shumë produkte të qumështit në mënyrë të jashtëligjshme, të cilët janë të rrezikshme për konsumatorin.
Sipas tyre, në Kosovë ka filluar të paraqitet dukuria e mos grumbullimit të qumështit, ku si rrjedhojë, shumë fermer nuk mund ta shesin qumështin dhe shumë pika grumbulluese rrezikojnë të mbyllen sepse në Kosovë po importohen nga jashtë disa produkte sa të rrezikshme për konsumatorin aq edhe të dëmshme për prodhuesit vendorë
“Arsyet e këtij mosgrumbullimit tashmë dihen. Produktet e paligjshme me yndyrë bimore dhe kushedi se çfarë tjetër rrezikojnë gjithçka në Kosovë, e sidomos konsumatorin , shtetin dhe konkurrencën e drejtë dhe të barabartë”, thuhet në komunikatë.
Si rezultat i këtyre zhvillimeve të fundit kjo shoqatë ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se nëse nuk ndërmerren masa për t’i parandaluar këto dukuri, ata do të fillojnë me protesta dhe do të bllokojnë të gjitha rrugët kryesore të cilat kanë lidhje me pikat doganore.
“Ju njoftojmë se me këtë rast do të i nxjerrim në rruge të gjitha makineritë bujqësore, bashkë me bagetitë tona”, thuhet më tutje në komunikatë transmeton lajmi.net
Ndërsa, ata po ashtu kanë përkujtuar edhe njëherë kërkesat e tyre të cilat lidhen me ndalimin e menjëhershëm të importimit të produkteve me përzierje të yndyrave bimore, ndalimi i menjëhershëm i mashtrimit me produkte të ndryshme, aplikimi i taksave për produktet e qumështit që vijnë nga jashtë, dhe të plotësimi i të gjitha kërkesat dhe të drejtat e përpunuesve të qumështit në Kosovë.