Procesi zgjedhor-balotazhi 2025, Policia vlerëson se ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze: Janë iniciuar dy raste penale dhe janë arrestuar tre persona

Policia e Kosovës ka dërguar një komunikatë për media, pasi ka përfunduar votimi në 18 komuna të Kosovës. Policia ka thënë se ata kanë zbatuar me sukses planin operacional të paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor-balotazhi 2025, me qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas…

Lajme

09/11/2025 19:56

Policia e Kosovës ka dërguar një komunikatë për media, pasi ka përfunduar votimi në 18 komuna të Kosovës. Policia ka thënë se ata kanë zbatuar me sukses planin operacional të paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor-balotazhi 2025, me qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve në të gjitha komunat e përfshira në balotazh,

“Vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor deri në këtë fazë ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze. Angazhimi i zyrtarëve policorë në zbatim të planit policor, si dhe bashkëpunimi e koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa incidente madhore që do të kishin penguar apo cenuar procesin zgjedhor”, ka njoftuar Policia.

Ata kanë thënë se një ndër qëllimet e këtij plani policor, ka qenë inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar dy (2) raste penale, një në Fushë Kosovë “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, ku janë arrestuar dy persona dhe tjetri në Klinë “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, ku është arrestuar një person. Personat e arrestuar me vendim të prokurorëve kompetent janë dërguar në mbajtje. Po ashtu, janë trajtuar rreth pesëdhjetë e një (51) informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me procesin zgjedhor, për të cilat nga prokurorët kompetent është vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë evidentuar vetëm si informacione”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia e Kosovës ka vlerësuar se plani policor është realizuar me sukses si rezultat i planifikimit të mirë operacional dhe punës së zyrtarëve policorë, si dhe bashkëpunimit të duhur ndërinstitucional.

“Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe kulturën e lartë të treguar përgjatë gjithë procesit zgjedhor të Balotazhit 2025”, thuhet mes tjerash në komunikatë. /Lajmi.net/