Procesi i Stabilizimit
Shteti i Kosovës, të hënën, nis zyrtarisht negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim–Asociimit, që shënon hapin më të rëndësishëm për vendin në procesin e integrimeve europiane. Kërkohet një herë stabilizimi i shtetit, pastaj integrimi i tij në BE.
Lajme
Shteti i Kosovës, të hënën, nis zyrtarisht negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian, që shënon hapin më të rëndësishëm të vendit në procesin e integrimeve europiane.
Ky proces pritet të zgjasë deri në pranverën e ardhshme, me shpresë të madhe, që nëse bëhen reformat e kërkuara, të përmbyllet me nënshkrimin e marrëveshjes, në verën e vitit 2014.
Ky do të ishte një sukses i madh për shtetin e Kosovës, i cili vitin që vjen mbush 6 vjet të ekzistencës së tij.
Por, rruga drejt përmbushjes së detyrave të parashtruara nga Komisioni Europian nuk do të jetë e lehtë. Duhet shumë punë e vendosmëri në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, reformimit të administratës, etj. Pra, kërkohet një herë stabilizimi i shtetit të ri, pastaj integrimi i tij në strukturat e Bashkimit Europian, që është një aspiratë ekzistenciale e gjithë popullit të Kosovës.
Vëzhguesit e pavarur thonë se procesi i negocimit të Marrëveshjes për MSA është shumë i rëndësishëm për reformimin e institucioneve të vendit.
Ata thonë se një nga sfidat kryesore në këtë proces mbetet përmbushja e disa çështjeve me përparësi lidhur me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Hulumtimin e Politikave, një ditë para nisjes zyrtare të negociatave, ka thënë për ‘Zërin e Amrikës’ se marrëveshja për MSA është i vetmi instrument reformues që mbetet për Kosovën.
“Kosova ka treguar se ka vullnet jo të mjaftueshëm dhe kapacitete në mungesë për bërjen e reformeve, prandaj një stimulus i jashtëm është vendimtar për reformimin e shoqërisë, të institucioneve dhe ndërtimin e kapaciteteve”.
“Politika nuk do të reformohej pa MSA’në dhe situata do të ishte shumë e vrazhdë dhe e pashpresë nëse nuk do ta kishim MSA’në në këtë proces”.
“Natyrisht do të zgjasë shumë, por MSA do ta kualifikojë Kosovën si kandidate për integrime europiane”.
Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, ka thënë, po ashtu, për ‘Zërin e Amrikës’ se fillimi i këtij procesi është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.
“Sfida më e rëndësishme në këtë proces të shtet-ndërtimit është ajo sesa është kapaciteti i institucioneve të Kosovës për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe të gjitha dukuritë negative, për luftimin e të cilave Kosova nuk ka treguar vullnet ndërsa institucionet e saja nuk kanë tregua fuqi për t’i luftuar në mënyrën e duhur”.
“Procesi i integrimit europian do t’i ofrojë vendit një monitorim të afërt të luftës që duhet ta zhvillojë Kosovëa ndaj këtyre dukurive”.
Me marrëveshjen e MSA’së Kosova do të përfitojë sidomos në aspektin tregtar. Sipas RFE, shumë mallra do të mund të eksportohen nga Kosova në tregun e madh të BE’së pa tarifa doganore, ndërkohë që Kosova do të përfitojë në këtë mënyrë edhe me investime të huaja, sepse siç pohojnë ekspertët në BE, investuesit e huaj do ta kenë më të sigurt investimin e tyre duke llogaritur se mallrat që do të prodhonin në Kosovë, do të mund t’i shisnin edhe në tregun e Bashkimit Europian.