Procesi i Berlinit vazhdon në mars në Prishtinë
BE dhe Prishtina po përgatisin samitin e ardhshëm ministror të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohen projektet konkrete të investimeve në infrastrukturë rajonale, vazhdim ky i iniciativës së Angela Merkel në Berlin.
Lajme
Kosova do të jetë nikoqire e samitit të ardhshëm të “Western Balkans 6”, përkatësisht i takimeve të shteteve të Europës Juglindore që janë në proces të integrimeve europiane. Samiti i parë u mbajt në Berlin me ftesën dhe pjesëmarrjen e kancelares Merkel për të diskutuar projektet konkrete investuese që kanë karakter rajonal në Ballkan. Pas samitit të Berlinit u mbajt takimi i ministrave të punëve të jashtme dhe zhvillimit ekonomik në Beograd, ku Kosovën e përfaqësoi Enver Hoxhaj dhe Fadil Ismajli.
Burimet e Lajmi.net nga Brukseli kanë treguar se tani do të mbahet edhe takimi i radhës edhe atë në Prishtinë, ku priten të vijnë ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Serbisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe vetë Kosovës si dhe ministrat e transportit të këtyre shteteve. Formati do të jetë i njëjtë si samitet e shkuara dhe pritet edhe prezenca e zyrtarëve të lartë të Komisionit Europian si dhe bankave europiane investive.
Ideja e këtij samiti, që pritet të mbahet në fund të marsit në Prishtinë, është të konkretizohen projektet e diskutuara në Berlin si ato të hekurudhës, ashtu edhe autostradat, projektet e infrastrukturës energjetike, etj. Kështu pritet që Ministri i Jashtëm i Kosovës për herë të parë në kapacitet zyrtar të pret edhe komisionarë europianë por edhe ministrin serb, Ivica Daçiq, me të cilin më herët ka negociuar në kapacitet të kryeministrit.
Sa i përket Kosovës, ajo ka identifikuar vazhdimin e autostradës Prishtinë – Nish për tu lidhur me korridorin 8 europian, pastaj projektet e traseve hekurudhore për Shqipëri dhe Mal të Zi si projekte prioritare. (Lajmi.net)