Procesi i Bërdo-Brionit: Kërkohet që zgjerimi i BE-së të jetë më i shpejtë dhe efikas
Nikoqirët e samitit të sotëm të Procesit të Bërdo-Brionit kanë theksuar nevojën që procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian të jetë më i shpejtë dhe efikas. Në mbyllje të samitit që u mbajt në Durrës u nënvizua nevoja edhe e bashkëpunimit rajonal, si parakusht për anëtarësim në bllok. Në konferencën për media të presidentit të…

Lajme
Nikoqirët e samitit të sotëm të Procesit të Bërdo-Brionit kanë theksuar nevojën që procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian të jetë më i shpejtë dhe efikas. Në mbyllje të samitit që u mbajt në Durrës u nënvizua nevoja edhe e bashkëpunimit rajonal, si parakusht për anëtarësim në bllok.
Në konferencën për media të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentes së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq, u tha mes tjerash që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë element thelbësor për ruajtjen e paqes në rajon, zhvillimit ekonomik dhe integrimit rajonal. Në samit mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, krahas liderëve të rajonit, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se Shqipëria synon t’i përfundojë negociatat teknike me BE-në deri në vitin 2027, ndërsa të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030. Krahas kësaj, ai tha se rajoni po ballafaqohet me sfida të sigurisë që kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinimit më të ngushtë mes vete.
“Ky samit përfaqëson një platformë të rëndësishme rajonale për shkëmbimin e ideve dhe vizioneve mbi të ardhmen e rajonit tonë. Bashkë me liderët e tjerë të rajonit diskutuam sfidat aktuale gjeopolitike si dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal. Shqipëria e mbështet dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si element thelbësor për ruajtjen e paqes, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal. Në samitin e sotëm theksuam se Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike. Megjithatë, rajoni ynë përballet me sfida të sigurisë të cilat kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinimit më të ngushtë mes nesh. Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përbën një mundësi të çmuar për zhvillimin ekonomik…Shqipëria synon të përfundojë negociatat teknike deri në vitin 2027, ndërsa të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030”, theksoi ai.
Ndërsa presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një perspektivë evropiane për të siguruar stabilitetin, paqen dhe sigurinë. Sipas saj, zgjerimi i BE-së duhet të jetë lartë në agjendën politike, ndërkaq procesi më i shpejtë dhe efikas.
“Takimi i sotëm që u mbajt nën moton ‘interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët, e ardhme e përbashkët’ – së bashku përpara drejt Bashkimit Evropian – dhe të respektuar, kjo moto nuk është thjesht simbolike, ose të paktën nuk duhet të jetë. Është drejtimi që rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për një perspektivë evropiane, sepse është mjeti më efektiv politik për të siguruar stabilitetin, paqen dhe sigurinë. Prandaj e kam theksuar përsëri sot se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të jetë lart në agjendën politike, procesi duhet të jetë më i shpejtë dhe më efikas, por në të njëjtën kohë standardet e besueshme nuk duhet të ulen, por duhet të zbatohen vazhdimisht”, tha ajo.
Ndërkaq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, përmendi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal për të adresuar nevojat dhe problemet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të forcojë rolin në arenën ndërkombëtare, pasi politikat botërore kanë ndryshuar. Presidenti Milanoviq shprehu, gjithashtu, dëshirën që samiti i radhës të mbahet në Kroaci.
“Qeveria kroate ofron mbështetje për të gjitha vendet e rajonit aq sa mundet. Deri tani më duket që nuk diskriminon, dhe besoj që edhe kështu do të vazhdojë. Por ky forum është diçka tjetër dhe, sipas mendimit tim, edhe më i rëndësishëm kur flasim për bisedime dhe dialog në këtë nivel. Ky është një dialog i cili është parakusht i çfarëdo marrëdhënieje dhe, posaçërisht, i raporteve të mira. Dhe ky është qëllimi – i vetëm, por shumë i rëndësishëm. Nuk do të marrim vendime të rëndësishme apo të nisim ndonjë iniciativë të re për ta sjellë para – këtë nuk mund ta bëjmë në këtë format. Por mund të flasim dhe të shohim se cilat janë përvojat dhe, në fund të fundit, cilat janë problemet e Bashkimit Evropian. Dhe ka shumë prej tyre në këtë moment. Një nga problemet më të mëdha për momentin është paaftësia, pamundësia ose ngurrimi i atyre që janë udhëheqës të vërtetë, ose të ashtuquajtur evropianë, për të folur me aktorët në botë. Sepse rrethanat kanë ndryshuar, dhe BE nuk është më fuqi – siç ka menduar deri së fundmi që është. Thjesht nuk është”, deklaroi ai.
Krahas këtyre tre liderëve, në samit morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Procesi i Bërdo-Brionit është një ngjarje shumëpalëshe vjetore në Ballkanin Perëndimor. Ai u iniciua në vitin 2010 nga Sllovenia dhe Kroacia.
Procesi i Bërdo-Brionit përfshin Slloveninë dhe Kroacinë, shtete anëtare të BE-së, dhe kandidatët e kandidatët potencialë për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina./Kp