Problemet që mund të u shkaktojë çanta e rëndë nxënësve

Fillimi i shkollës mund të jetë kënaqësi për fëmijët, por duhet të jetë një barrë për prindërit, të cilët duhet të mendojnë si t’u sigurojnë komfort dhe siguri fëmijëve të tyre.

Lifestyle

29/09/2014 17:45

E rëndësishme për shëndetin e përgjithshëm të fëmijës është edhe mbajtja adekuate e çantave, të cilat, nëse nuk mbahen si duhet, mund të çojnë në probleme të ndryshme, madje edhe afatgjate, të lidhura me shpinën.

“Çantat e shpinës janë dizajnuara për ta shpërndarë peshën e barrës në mesin e muskujve më të fuqishëm të organizmit. Por, kur mbahen në mënyrë jo korrekte, mund të shfaqen lëndime si tërheqje ose ndrydhje muskulore, dhe probleme me qëndrimin e trupit”, thotë Dr Michael Wade Shrader, kirurg ortoped dhe zëdhënës i Akademisë Amerikane të Kirurgëve Ortopedë (AAKO).

“Derisa disa prej këtyre lëndimeve mund të jenë të lehta, të tjerat mund të lënë pasoja afatgjata te fëmijët, dhe t’i përcjellin ata në moshë të rritur”, shton mjeku.

Më shumë 24 mijë njerëz janë trajtuar në spitalet e SHBA-ve dhe ordinancat e mjekëve për lëndime të lidhura me shpinën gjatë vitit 2012, dhe afro 10 mijë prej tyre kanë qenë të moshës nga 5 deri në 18 vjeç.

Këshilla për nxënësit

Fëmijët nuk duhet të mbajnë më shumë se 15 deri në 20 për qind të peshës së tyre trupore. Ata duhet të përdorin të dyja rripat e shpatullave në shpinë dhe t’i rregullolojnë rripat për ta mbajtur peshën sa më afër shpinës, këshillojnë ekspertët e AAKO.

Lajmi.net ju sjell edhe këto këshilla të tjera të ekspertëve për të parandaluar problemet e shpinës, të shkaktuara nga çanta e shkollës:

Kur duhet të hapni, mbyllni ose çoni çantën, përkuluni në gju (mos u lakoni në shpinë).

Largoni ose riorganizoni gjërat nëse çanta e shpinës është shumë e rëndë.

Kur i paketoni gjërat, vendosni ato më të rëndat poshtë dhe kah qendra e çantës.

Mbani vetëm gjërat e nevojshme për atë ditë të shkollës ose për detyrat e shtëpisë.

Këshilla për prindërit

  • Prindërit duhet t’u blejnë fëmijëve çantë që është me madhësi të përshtatshme për fëmijën.
  • Ata duhet t’i inkurajojnë fëmijët e tyre të tregojnë nëse ndjejnë mpirje ose therje të krahëve ose këmbëve, që mund të jetë një shenjë se çanta përshtatet keq ose se fëmija mban shumë peshë.
  • Këshilloni fëmijën tuaj ta vendosë dhe heqë çantën për të parë nëse kanë vështirësi, para se të nisen në shkollë. Nëse çanta duket shumë e rëndë, thoni fëmijës të largojë nga çanta disa libra dhe t’i mbajë ata në krahë për të lehtësuar barrën e shpinës.
  • Fëmijët duhet të këshillohen fillimisht të ndalojnë në dollapin e tyre (të shkollës, nëse kanë, ose të klasës) për t’i lënë aty disa prej librave më të rëndë. /Mjeku.Net/