Problem me parkimin e veturave në Tetovë, gjoba 350 euro
Shërbimi i zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë po hasin në vështirësi të shumta veprimi në Tetovë për shkak të bllokimit të rrugës nga parkimi pa kriter.
Lajme
Masat e ndërmarra me vendosjen e gjobave që shkojnë edhe deri në 350 euro, si duket nuk kanë dhënë efektin e duhur.
Drejtuesit e shërbimeve emergjente kërkojnë ndërgjegjësimin e qytetarëve pasi vonesat mund të kenë pasoja fatale.
Mos pastrimi i dëborës dhe parkimi i veturave thuajse në mes të rrugës, ka vështirësuar komunikacionin në qytetin i Tetovës, në veçanti në rrugën e Ilindenit dhe bulevardin Iliria.
Nga bllokimi i këtillë i rrugëve probleme më të mëdha hasin shërbimi i zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë.
“Qytetarët të na lirojnë rrugën neve si zjarrfikës apo ambulancës së ndihmës së shpejtë, kemi shumë, shumë pengesa hasim me qytetarët tonë që nuk na japin shumë përparësi gjatë lirimit të rrugës. Obligim i qytetarëve është vetëm ndërgjegjshmëria, të jenë të ndërgjegjshëm të dijnë gjithnjë se mundë të ketë raste urgjente që të mos parkojnë makinat vend e pa vend, sepse dihet që sërish pësojnë pra pësimi është i qytetarëve.
Gzim Nuredini, kryeshef i urgjencës në Tetovë, ka porositur banorët që të kenë kujdes nga parkimi vend e pa vend i veturave, sepse kjo shpesh herë mundë të kushtojë edhe jetë njeriu.
“Vetëdija e qytetarëve duhet, kur e shohin veturën e ndihmës së shpejtë menjëherë duhet ose të ngadalësojnë shpejtësinë ose të tërhiqen anash ashtu që të mundësojë që të arrijmë deri tek rasti ku e kemi.”
Ndryshe, nga komuna e Tetovës, shpesh herë kanë apeluar vozitësit që të largojnë veturat e tyre që të mundë të pastrohet bora nga këto vende, por si duket ca vozitës të pandërgjegjshëm vazhdojnë të mos e respektojnë këtë apel.
Ditëve të fundit, sektori i punëve të brendshme i Tetovës dhe inspektorati komunal, janë më shpesh në teren për të pastruar rrugët nga parkimet vend e pa vend, ndërsa nuk mungojnë edhe gjobat që arrijnë deri në 350 euro. (Kosovapress)