Prizren: Katër fëmijë ranë në pusetë, dy të vdekur

Dy fëmijë kanë humbur jetën përderisa dy të tjerë kanë arritur të mbijetojnë pasi kanë rënë në një pusetë, mbrëmjen e së martës në fshatin Serbicë të Prizrenit.

Lajme

17/06/2015 10:47

“Ngjarja ka ndodhur mbrëmë pasi fëmijët kanë shkuar për tu larë në një gropë e cila ishte e mbushur më ujë,  ku kanë qenë katër fëmijë prej të cilëve dy kanë mundur të dalin jashtë, ndërsa dy të tjerët kanë humbur jetën” ka thënë për lajmi.net zëdhënësi i Policisë në Prizren, Hazir Berisha.

Bëhet e ditur se viktimat janë të moshë rreth 10 vjeçare.

Zëdhënësi Berisha ka shtuar se dy fëmijët e tjerë që kanë shpëtuar nuk kanë lëndime trupore dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërsa, trupat e të vdekurve janë nxjerrë nga ekipet e zjarrfiksëve dhe policisë rreth mbrëmë orës 22:00.

Një rast i ngjashëm dje ka ndodhur edhe në fshatin Frashër të Mitrovicës, ku një 12-vjeçar ka humbur jetën, gjithashtu duke u mbytur në një puset, ku kishte hyrë për t’u freskuar bashkë me vëllain e tij, i cili ka arritur të shpëtojë.(lajmi.net)