Prishtinë: Plagoset rëndë me thikë një person, Policia nis hetimet

Një person ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e një sulmi me thikë që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:20, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor menjëherë pas sulmit, shkruan lajmi.net. “Një mashkull kosovar është…

Lajme

26/07/2026 08:33

Një person ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e një sulmi me thikë që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:20, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor menjëherë pas sulmit, shkruan lajmi.net.

“Një mashkull kosovar është dërguar për trajtim mjekësor pasi që i njëjti ishte sulmuar me thikë nga një i dyshuar i panjohur”, thuhet në raportin e Policisë.

Gjendja e të lënduarit konsiderohet e rëndë, pasi sipas autoriteteve shëndetësore ai ka pësuar plagë serioze.

“Viktima sipas mjekëve ka pësuar dy plagë nga thika në shpinë, me ç’rast ka pësuar lëndime edhe në organe vitale”, njofton Policia.

Lidhur me rastin është informuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vrasje në tentativë”.

“Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe vazhdon të hetohet për identifikimin e personit të dyshuar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Deri më tani nuk është arrestuar asnjë person, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar. /Lajmi.net/