Prishtina rrezikon ta humbas gjysmën e buxhetit në gjykata
Komuna e Prishtinës është në kontest në gati 600 raste të ndryshme, që kanë të bëjnë direkt me punën e këtij institucioni. Por, më problematike janë 61 raste të këtij viti e që janë ende në procedurë gjyqësore, meqë komuna rrezikon ta humbas gati gjysmën e buxhetit të saj, pasi paditësit në emër të kompensimit të dëmit po kërkojnë afër 30 milionë euro.
Lajme
Të dhënat tregojnë se në komunën e Prishtinës ka një shtim të madh të detyrimeve kontingjente. Kontestet apo lëndët mes palëve të ndryshme dhe komunës që aktualisht ndodhen në procedura gjyqësore janë të natyrës pronësore, administrative, banesore, penale etj.
Redaksia e posedon raportin e Zyrës së përfaqësimit juridik të Komunës së Prishtinës, sipas të cilit deri më tani janë gjithsej 593 lëndë të natyrave të ndryshme në kontest.
Por, prej datës 1 janar 2018, deri me 30 shtator 2018, janë 61 lëndë që kanë të bëjnë me kompensim dëmi, e që aktualisht komuna i llogarit si borxh.
Respektivisht Komuna e Prishtinës ka paraparë se mund të ketë detyrime financiare prej afro 30 milionë eurosh, në rast të nevojës për kompensim dëmesh pas vendimeve të gjykatave në lidhje me kontestet.
FaktePlus ka mësuar se janë fiks 28,790,566.17 euro që po kërkojnë palët e ndryshme nga Prishtina për raste të ndryshme në emër të kompensimit të dëmit, shkruan ”Fakte Plus”.
Vetëm një qytetar po i kërkon komunës fiks 9,575,000.00 euro për një kompensim të shpronësimit. Lënda e cila ndodhet ne Gjykatën Themelore është me numër N.nr.332/2006 dhe data e detyrimit është shënuar të 06.08.2018.
Disa nga rastet tjera me shuma të madhe janë edhe: Lënda me numër III.Ek.nr.264/2015, ku po kërkohet pagesa në vlerë prej 1,008,128.24 eurove dhe data e detyrimit është shënuar 12 shkurt 2017. Kjo lëndë është në Gjykatën Themelore.
Ndërsa lënda C.nr.1405/16 e cila ndodhet në Gjykatën e Apelit, paditësi kërkon nga komuna kompensimin për shkak rrënimit të objektit dhe pagesa e kërkuar është 2,467,466.00 euro.
Po ashtu, një kompani pasi kishte fituar një tender në komunë, dhe komuna ia kishte ndërprerë kontratën njëanshëm për këtë ka bërë padi në Gjykatën Themelore, ky operatori ekonik po kërkon 1,008,128.24 euro.
Ndërsa, lënda C.nr.3246/2015 , ku data e detyrimit është shënuar 10.1.2018, po kërkohet pagesa në vlerë prej 3 milionë eurove. Paditësi kërkon kompensimin e dëmit për shkak të pengimit në mos ndërtim të pronës së tij, etj.
Për këtë, Thesari i komunës së Prishtinës në vitin e kaluar ka ekzekutuar pagesa në vlerë prej 1,875,280 euro nga buxheti i komunës direkt në llogari të operatorit ekonomik
Nga testimet, Zyra Kombëtare e Auditorit në raportin për vitin 2017 ka vërejtur se për 28 pagesa të ekzekutuara sipas urdhëresave të përmbaruesve privat në vlerë 867,397 euro, komuna kishte paguar shpenzime shtesë në vlerë 36,755 euro, për përmbaruesit.
“Edhe pse nuk kemi marrë përgjigjen e kërkuar me shkrim, ekzekutimi i pagesave nga Thesari rrjedh si rezultat i hyrjes në obligime pa zotim paraprak të mjeteve, në mungesë buxheti, nga pranimi i shërbimeve me kontrata të skaduara”, thuhet në raport.
Sipas Auditorit, format e pagesës përmes vendimeve gjyqësore rrezikojnë realizimin e projekteve të planifikuara kapitale nga ku janë marrë mjetet për pagesë, si dhe duke shkaktuar dëmtim shtesë të buxhetit për shkak të shpenzimeve përmbarimore.
Po ashtu, Auditori ka vërejtur se vlera e borxhit potencial të komunës e shpalosur në Pasqyrat Vjetore Financiare (PFV) ishte 6,180,290 euro dhe i njëjti është rritur për 1,283,225 euro nga viti paraprak.
“Rritja e tyre dhe humbja e rasteve në gjykata (përmbarues) mund të afektoj buxhetin, i cili është planifikuar të shpenzohet në projekte tjera”, thuhet ndër të tjera në raport.
Më poshtë mund të shihni – Raportin e detyrimeve kontingjente nga Zyra e përfaqësimit juridik të Komunës së Prishtinës: