Prishtina “Qyteti Evropian i Sportit 2024”, vjen reagimi nga Komiteti Olimpik i Kosovës

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka reaguar pasi Prishtina mori epitetin e “Qytetit Evropian të Sportit” për vitin 2024. Shtëpia e sportit në Kosovë e ka cilësuar arritje të madhe për sportin kosovar. “Kryeqyteti ynë, Prishtina, edhe zyrtarisht ka marrë epitetin “Qytet Evropian i Sportit për Vitin 2024”. Vendimi u mor sot nga Parlamenti Evropian.…

Sport

07/12/2023 20:13

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka reaguar pasi Prishtina mori epitetin e “Qytetit Evropian të Sportit” për vitin 2024.

Shtëpia e sportit në Kosovë e ka cilësuar arritje të madhe për sportin kosovar.

“Kryeqyteti ynë, Prishtina, edhe zyrtarisht ka marrë epitetin “Qytet Evropian i Sportit për Vitin 2024”. Vendimi u mor sot nga Parlamenti Evropian. Është kjo një tjetër arritje e sportit tonë, veçanërisht Prishtinës, sukses ky në të cilin kontribuoi edhe Komiteti Olimpik i Kosovës”.

“KOK përgëzon drejtuesit e komunës, me kryetarin Përparim Rama, dhe njëherit ju shprehim gatishmërinë për bashkëpunim në avancimin e mëtutjeshëm të sportit kryeqytetas dhe më gjerë”, thuhet në postim.

Edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, u shpreh i lumtur me arritjen e këtij suksesi të madh për Prishtinën.

“Jam i lumtur të ndaj me ju lajmin fantastik se Prishtina është shpallë Qytet Evropian i Sportit për vitin 2024! Ky titull është dëshmi e angazhimit tonë të palëkundur për të krijuar një qytet që përqafon jetën e shëndetshme, gjithëpërfshirjen dhe mikpritjen. Na pret një vit i mbushur me ngjarje sportive, angazhim të komunitetit dhe investime në infrastrukturën sportive”.

Mes tjerash Rama tha se ky titull është katalizator i cili i nevojitet Prishtinës për të kthyer fokusin tek rëndësia e sportit në shoqëri për një të ardhme më të ndritshme, të shëndetshm e më gjithëpërfshirëse për kryeqytetin.

Bashkë me Ramën ishin te pranishëm edhe Drejtori për Sport, Granit Rugova dhe skitaren e parë nga Kosova që mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, Kiana Kryeziu, në një ceremoni të veçantë në selinë e Parlamentit Europian në Bruksel./Lajmi.net/