Prishtina po zvarrit Bashkësinë e Komunave Serbe
Aleksandar Vulin thotë se Prishtina po mundohet ta zvarritë formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Sipas tij, vonesat në formimin e komunave me shumicë serbe po bëhen me qëllim të prolongimit të inaugurimit të Bashkësisë së Komunave Serbe.
Lajme
Ministri pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, thotë se Prishtina po mundohet që ta pengojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS).
Sipas tij, kjo vërehet edhe me vonesat që po bëhen ne konstituimin e komunave me shumicë serbe.
“Marrëveshja e Brukselit nuk ka qenë optimale për Prishtinën. Ata kanë menduar se me këtë do të jetë edhe fundi i Serbisë, mirëpo me këtë serbët janë bërë më të fortë dhe të fuqishëm”.
Vulin cilësoi se serbët e Kosovës janë të mençur dhe me përvojë për t’u përballur me obstruksionet e Prishtinës.
Ai tha se prioritet e qeverisë serbe, është punësimi i serbëve të Kosovës.
“Do të mundohemi që ta largojmë varfërinë dhe që secila familje të ketë të paktën kushte themelore për jetë”.
Ai bëri të ditur se vitin e ardhshëm do të vazhdojnë bisedimet Prishtinë-Beograd, dhe AKS do të jetë fryt i kësaj marrëveshjeje.
Sipas Vulin, beteja më e madhe është që të bindin opinionin në Serbi se “për Kosovën ia vlen të luftohet”, e jo beteja me Prishtinën dhe bashkësinë ndërkombëtare.
“Ju jeni dëshmi për fitoren në këtë betejë”, ka thënë Vulin.