“Prishtina Parking” nis ekzekutimin e pagave
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Prishtina Parking” pritet t’i marrin pagat e tyre, pasi gjatë ditës së sotme ka nisur procesi i ekzekutimit të tyre. Zhvillimi vjen vetëm pak orë pasi një pjesë e punonjësve protestuan për shkak të vonesave në pagesa. Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të “Prishtina Parking”, Milot Mahmutaj, konfirmoi se procedura për…
Lajme
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Prishtina Parking” pritet t’i marrin pagat e tyre, pasi gjatë ditës së sotme ka nisur procesi i ekzekutimit të tyre. Zhvillimi vjen vetëm pak orë pasi një pjesë e punonjësve protestuan për shkak të vonesave në pagesa.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të “Prishtina Parking”, Milot Mahmutaj, konfirmoi se procedura për ekzekutimin e pagave ka filluar dhe se fondet do të reflektohen në llogaritë e punëtorëve pasi të përpunohen nga bankat.
“Po siç e dini qysh kemi probleme financiare ne si një vit e gjysmë, që kjo është problemi që ka ndodhë. Ne sot veç ka fillu procesi i ekzekutimit të pagave, e tash deri sa të procesohen. Kemi komuniku edhe me sindikatën edhe jemi marrë vesh që sot dalin pagat, qysh të janë mundësitë”, tha Mahmutaj në një përgjigje me shkrim për EO.
Mahmutaj theksoi se ndodhet vetëm pesë ditë në pozitën e ushtruesit të detyrës dhe se do të angazhohet për stabilizimin e situatës financiare të ndërmarrjes. Ai tha se vështirësitë aktuale lidhen me vendimin e Gjykatës Themelore, e cila ka shfuqizuar disa pika të rregullores në fuqi.
“Unë jam ushtrues detyre që pesë ditë edhe kjo është gjendja. Unë do të mundohem sa të mundem, sa të kam mundësi. Po këto shkaktarët janë siç dihet, vendimi i Gjykatës Themelore. I ka shfuqizu disa pika edhe tash deri sa të rregullohet rregullorja e re do të ketë kështu probleme. Po sot ka nis ekzekutimi, tash deri sa të procesohen nëpër banka”, tha Mahmutaj.
Gjatë paradites, punëtorët e “Prishtina Parking” organizuan protestë duke kërkuar pagesën e pagave të vonuara. Ndërkohë, Sindikata kishte paralajmëruar se, në rast se situata nuk zgjidhej, do të ndërmerrte veprime të tjera sindikale./Lajmi.net/