Prishtina do të marrë buxhet nga shteti vetëm për 198 mijë banorë
Prishtina do të marrë para nga shteti vetëm për 198 mijë banorët e regjistruar dhe asnjë më shumë.
Lajme
Kuvendi Komunal i Prishtinës do të duhet të mblidhet prapë për të miratuar një buxhet të ri për këtë vit. 69 milionë eurot qeveria nuk ia lejoi dhe Kuvendi i Kosovës i miratoi vetëm 56 milionë, por me mundësi që shifra të mbërrijë në 62 milionë euro nëse komunarët vendosin kështu, raporton KTV.
Në ministri thonë se kjo është e caktuar me qarqet buxhetore, të cilat Prishtina, sipas Ministrisë së Financave, i tejkaloi me vetëdije, përcjell Koha.net.
Në komunë vazhdojnë ta konsiderojnë të padrejtë mosmiratimin e buxhetit prej 69 milionë eurosh, duke thënë se do të veprojnë sipas udhëzimeve të ministrisë.
Berisha siguron punonjësit komunalë se nga shkurtimet buxhetore nuk do të preken pagat. Ndryshe, Prishtina, përmes të hyrave vetjake, ka mundësi që ta sjellë buxhetin në 69 milionë euro.
Kjo për qytetarët është vjelje më e madhe e të hyrave nga tatimi në pronë, gjobat në trafik dhe parkingjet.
LDK-ja, e cila votoi kundër buxhetit komunal sepse e shihte si ambicioz, ka thënë se buxheti nuk bëhet sipas qejfeve të kryetarit Shpend Ahmeti, raporton KTV.